"Qeveri normale nuk ka ky shtet": Opozita reagon ndaj deklaratave të Kurtit dhe Sveçlës për pagat e NjSI-së - NACIONALE

"Qeveri normale nuk ka ky shtet": Opozita reagon ndaj deklaratave të Kurtit dhe Sveçlës për pagat e NjSI-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, i kanë reaguar ashpër deklarimeve të kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për qasjen e tyre ndaj protestës së Njësisë Speciale Intervenues të Policisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla pas përfundimit të protestës reaguan ndaj NjSI, duke thënë se ata paguhen 2 mijë e 200 euro.

“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023).” – ka shkruar Kurti.

Mirëpo, këto deklarime nuk kaluan pa u kritikuar nga kryetarët e partive opozitare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk do të dëshironte që ta shihente Njësinë Speciale Intervenuese në duke rprotestuar.

Ai ka thënë protesta e tyre është fotografia e turpshme e kësaj qeverie të paaftë.

E vërteta e kësaj Qeverie! Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta.

Përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë.” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj të dhënave të Kurtit duke thënë se paga e tyre është 630 euro dhe se ata po kërkojnë dinjitet.

Për t’i marrë 2,200 euro u duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë, me nga 20 orë punë e 4 orë gjumë - dhe atë çfarë pune e çfarë gjumi se! I thonë punë jashtë orarit; punë shtesë. Për punë të tillë mos paçin nevojë asnjëherë; por janë aty sa herë që kemi nevojë; si vend, si shtet si shoqëri. I thonë angazhim patriotik për atdheun.

Paga e tyre është 630 euro BRUTO! Kaq paguhen. 550 euro NETO! Po kërkojnë dinjitet. Dhe dinjitet meritojnë këta dhjetra djem. Hiqni ca meditje nga shëtitjet e thata dhe zgjidhjen e keni krejt të lehtë.” – ka shkuar ai në Facebook.

Më tej, kryetari i LDK-së, ka thënë se Kosova nuk ka qeveri normale.

Një Qeveri normale nuk do të lejonte - aq më pak pas sulmit terrorist - t’i kishte djemtë elitarë në protestë. Një Qeveri normale nuk do t’i trajtonte këta djem me propagandë! Por Qeveri normale nuk ka ky shtet. Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend. Drejt fundit. Kosova do të bëhet më mirë!” – ka thënë ai.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti dhe ka konsideruar se protesta e tyre ishte e drejtë.

Ai ka kërkuar që Kurti të respektojë ata.

Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!." - ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Përveç opozitës edhe analistët e politikës e njohës të fushës kanë kritikuar qasjen e qeverisë ndaj policive.

Mëgjithatë nuk dihet nëse qeveria do të plotësojë kërkesat e kësaj njësie të Policisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme