“Mos luani me dinjitetin tonë”: Njësia elitare e Policisë proteston para Qeverisë, i çon mesazh Kurtit
Sot në Prishtinë, para objektit të Qeverisë së Kosovës, ka protestuar Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës. Me uniforma e maska, dhjetra pjesëtarë të kësaj njësie kanë protestuar, në kërkim të realizimit të kërkesave të tyre. Çka u pa në protestë?
Kjo njësi ka shprehur pakënaqësinë ndaj Qeverisë së Kosovës për vendimin e saj rreth shtesave të rrezikshmërisë, të cilat u ekzekutuan javën e kaluar.
“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësa për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, sot jemi mbledhur para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë, si dhe mospërfshirjës së shtesave tjera” – tha polici që e lexoi deklaratën.
“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se dhjetë vite që kemi marr premtime për benefite që na takojnë, por deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar...Ne jemi unik, sepse kërkesat tona janë legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Prandaj, ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private…Prandaj, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator 2023. Pra ne nuk zmbrapsemi asnjëherëa pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara” – theksoi një polic në këtë protestë, shkruan Nacionale.
Ata kanë treguar edhe kërkesat e tyre.
"Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve dhe Rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.” - u shpreh përfaqësuesi i tyre para medieve.
Opozita reagon ndaj protestës
Liderët opozitarë kanë reaguar ndaj protestës së Njësitit Speciale Intervenues, e cila është mbajtur sot para ndertës se Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se këta pjesëtarë po poshtërohen nga Qeveria e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është dëshpërues të shohësh njësinë më elitare të policë së Kosovës duke protestuar.
“Trishtim. Dëshpërim. Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar.
Ai e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që t`i plotësoj kërkesat e tyre.
“Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!”, ka shkruar Haradinaj.