Sveçla s’i bën hesap specialsët që protestuan: “I merrni nga 2 mijë e 200 euro në muaj” - NACIONALE

Sveçla s’i bën hesap specialsët që protestuan: “I merrni nga 2 mijë e 200 euro në muaj”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me një mori kundërthëniesh mes rreshtave, tentoi t'i hedhë "hi në sy" opinionit publik në përpjekje për të ulur rëndësinë e kërkesave të pjesëtarëve të Njësitët Speciale të Policisë së Kosovës. Kreu i MPB-së, ndonëse në reagimin e tij Facebook ka shkruar gjithsej 348 fjalë, në asnjërën nga rreshtat nuk ka dhënë asnjë indikacion se kërkesat e tyre do të merren parasysh. Rreziqet dhe kërcënimet që mbartin gjatë gjithë kohës zyrtarët e këtyre njësive duket se edhe këtë herë kanë rënë në vesh të shurdhër.

Ministrja Sveçla e nisi statusin duke u ankuar për “buxhetin e vogël” të Kosovës. Logjika e argumentimit të zotit Sveçla, që në fjalinë e parë bie ndesh me rreshtat e mëposhtëm të tij ku flet për “investimet e mëdha” që janë bërë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që nga marrja e detyrës.

“Republika e Kosovës është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë. Por, Republika e Kosovës është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz. Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës.” – tha Sveçla.

Më tej Ministri Sveçla pretendoi se “Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”.

Kjo deklaratë e tij erdhi vetëm pak orë pasi Njesiti për të cilin flet Sveçla protestoi para objektit të Qeverisë së Kosovës për “pakënaqësitë në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë, si dhe mospërfshirjës së shtesave tjera”.

Sveçla pretendoi edhe për avancim të kushteve logjistike. Ai tha se Njësitë Speciale të Kosovës “i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor”, që bie ndesh me një nga shqetësimet më të shprehura të Sindikatës së Policisë së Kosovës së fundmi.

Ministri ka shkruar edhe për të ardhurat mesatare mujore të zyrtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës, të cilat sipas tij janë “mbi 2200 euro”. Pra, në këtë konkluzion kreu i MPB-së ka marrë për bazë edhe orët shtesë të këtij Njësiti. “Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.” – tha ai.

Protesa

Sot në Prishtinë, para objektit të Qeverisë së Kosovës, ka protestuar Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës. Me uniforma e maska, dhjetra pjesëtarë të kësaj njësie kanë protestuar, në kërkim të realizimit të kërkesave të tyre.

Kjo njësi ka shprehur pakënaqësinë ndaj Qeverisë së Kosovës për vendimin e saj rreth shtesave të rrezikshmërisë, të cilat u ekzekutuan javën e kaluar.

“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësa për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, sot jemi mbledhur para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë, si dhe mospërfshirjës së shtesave tjera” – tha polici që e lexoi deklaratën.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se dhjetë vite që kemi marr premtime për benefite që na takojnë, por deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar...Ne jemi unik, sepse kërkesat tona janë legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Prandaj, ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private…Prandaj, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator 2023. Pra ne nuk zmbrapsemi asnjëherëa pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara” – theksoi një polic në këtë protestë, shkruan Nacionale.

Lajme të ngjashme