Që 13 ditë: Komunës së Gjilanit i bllokohen llogaritë bankare për shkak të borxheve - NACIONALE

Që 13 ditë: Komunës së Gjilanit i bllokohen llogaritë bankare për shkak të borxheve

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Që 13 ditë Komuna e Gjilanit nuk po mund të bëjë asnjë pagesë. Krejt kjo pasi përmbaruesit privatë i kanë "rënë në qafë komunës për mospagim të borxheve. Tash, pushteti akutal po i fajëson qeveritë e kaluara teksa udhëheqësit e kaluar thonë se edhe vetë i kishin gjetur ato borxhe.

Nga 25 gushti, Komuna e Gjilanit nuk ka kryer asnjë pagesë. Llogaritë bankare të kësaj komune janë ngrirë nga përmbaruesit privatë dhe se kur do të këtë një "shkrirje" nuk dihet akoma.

E borxhi aktual që ka komuna, është 3.3 milionë euro, ndërsa në total kanë qenë afër 7 milionë euro borxhe.

Drejtori i Financave në Komunën e Gjilanit, Riad Rashiti, në shkrimin e tij në Facebook, ka thënë se për shkak të borxheve të trashëguara, komuna nuk ka mundur të procesojë pagesa, teksa ata po thonë se janë nën presion të palëve.

Për shkak borxheve të trashëguara komunës së Gjilanit, prej 25 gushtit (dita e 12-të) na u janë bllokuar llogaritë bankare nga vendimet e përmbaruesve privat, të cilët përfaqësojnë kërkesat e palëve që kanë për pagesa të borxheve që i ka komuna. Ky bllokim na e ka shtuar tej mase presionin e palëve të ndryshme, për ekzekutime të pagesave që janë në pritje. Andaj aktualisht si komunë, nuk mund të procesojmë asnjë pagesë (përveç pagave të sektorit publik që bëhen nga Thesari - Ministria e Financave dhe Transfereve dhe që nuk rrezikohen nga vendimet përmbarimore).”, ka shkruar ai.

Përveç pagesave të tjera, në pritje të tyre janë edhe studentët, të cilët akoma nuk janë paguar për bursat e tyre.

Ne shprehim keqardhje për të gjithë ata që janë në pritje të ekzekutimit të pagesave nga komuna, e në veçanti për studentë që janë në pritje të pagesës së bursave që u janë ndarë nga drejtoria e arsimit. Ju lutemi që të keni durim edhe pak kohë”, ka shkruar tutje ai.

Edhe pse ka paguar një shumë prej 3 milionë eurove, komuna përsëri është në borxhe dhe përmbaruesit përsëri po i kërkojnë mjetet.

Vetëm pas pagesës edhe të 3.3 milionë eurove borxhe që kërkohen përmes përmbaruesve, atëhere do të na zhbllokohen llogaritë bankare, në mënyrë që të mund të vazhdojmë pastaj me procesimin e pagesave tjera, që janë në pritje. Sa për informacion, prej 1 shkurtit 2022 kemi paguar rreth 3 milion euro borxhe dhe 3.3 mil euro të tjera, të cilat tani detyrueshëm po na merren nga buxheti komunal. E në total mbi 6.3 milion euro pagesa të borxheve po realizohen vetëm këtë vit.”, është shprehu i shqetësuar Rashiti.

Sidoqoftë, akuzave të pushtetit u është përgjigjur ish-nënkryetari i Gjilanit nga radhët e LDK-së, Arbër Ismajli.

Ismajli për Nacionalen e ka kritikuar pushtetin e VV-së në Gjilan duke thënë se deklaratat e tyre janë të pasinqerta dhe jokorrekte.

Ai thotë se edhe ata i kishin trashëguar borxhet nga pushteti i PDK-së asokohe dhe se tani borxhet janë bartur të pushteti aktual.

Kjo që flet sot pushteti është e pa sinqert dhe jo korrekte, borxhet ne si pushtet i kemi të trashëguara pikërisht nga partneri i sotshëm i VV-së që është ish qeverisja e PDK, nëse hulumtoni në arkiven e kuvendit komunal të Gjilanit ju do t’i gjeni dy vendime për shpronesim të parkut dhe një shkollë që tejkalojnë vlerën e 7 milion euro!”, ka thënë ai.

Ai pretendon që shuma e borxheve është rritur për shkak të shpronësimit, e që e kapin vlerën e 7 milionë eurove.

Pra ne si pushtet shumicen e këtyre obligimeve i kemi trashëguar dhe janë te bartuara! Pra edhe njëherë po e përsërisë janë dy vendime për shpronësim që janë nxjerrë nga ish kuvendi komunal ku kalojnë vlerën e 7 milionë eurove!”, ka thënë ai.

Ndryshem Nacionale mëson se Komuna e Gjilanit e ka kërkuar ndihmën e Qeverisë për të dalë nga kjo situatë.

Komuna e Gjilanit e ka kryetar Alban Hysenin nga partia Vetëvendosje.

Hyseni, në një deklaratë të tij për borxhet, kishte thënë se “komuna do të gjejë shkelësit, do t’i denoncojë ata, do të ndalë zhvatjen dhe do të kthejë dinjitetin e munguar”.

Nuk e përdorim si justifikim të kaluarën. Punojmë për të ardhmen”, kishte thënë Hyseni teksa llogaritë bankare të kësaj komune vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Pas Gjilanit, komunat me më së shumti borxhe janë Komuna e Ferizajt, Komuna e Mitrovicës, Rahoveci, Prishtina dhe të tjera.

Lajme të ngjashme