Përfundon takimi i Hovenier me Ramën e Osmanin, ambasadori amerikan nuk deklarohet
E përditësuar:
Takimi mes ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, dhe presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, tashmë ka përfunduar. Pas takimit, Hovenier nuk ka folur për media rreth asaj se çka u diskutua në takim. Ai theksoi se krejt çfarë ka pasur të thotë i ka thënë më parë.
Ndryshe, burimet e Nacionales informojnë që Hovenier i ka takuar ndaras Osmanin dhe Ramën.
Çka raportoi Nacionale?
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, po qëndron në Kosovës. E nikoqirja e tij e parë është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e pranoi ftesën e Ramës për takim, ndërsa kryeministrit Albin Kurti e refuzoi një gjë ftesë të tillë. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier para pak minutash ka hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet takimi në mes presidents Vjosa Osmani.
Gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, raporton nga Kuvendi i Kosovës se z. Hovenier i është bashkuar Ramës dhe Osmanit në takim. Tutje, gazetari Krasniqi e ka pyetur nëse do të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili aktualisht është në presidencë duke zhvilluar një takim me presidenten Vjosa Osmani.
Nuk dihet se cila është tema e këtij takimi, që në fakt është takim i paparalajmëruar. Megjithatë, është lehtë e rrokshme që takimi do të fokusohet në tensionet në veri dhe nevojën për shtensionim të situatës.
Për më shumë, takimi është zgjatur më shumë se që ishte planifikuar në agjendën e Ramës që u bë publike sot në mëngjes. Pra takimi Osmani-Rama-Hovenier është tejzgjatur, duke e lënë të pres për takim z. Glauk Konjufcës, kryetar i Kuvendit, ku do të qëndrojë z. Rama pas takimit me zonjën Osmani dhe Hovenierin.
Ndryshe, Euro News Albania raporton se ambasadori amerikan do te ketë një takim te veçantë me kryeministrin Rama.
“Takimi mes tyre ka nisur, pasi ai me presidenten Osmani ka përfunduar tashme. Kjo pa bërë që takimi me kryetarin e kuvendit te shtyhet pas përfundimit të takimit Rama – Hovenier.” – shkruan Euro News.
Në lidhje me takimin me Ramën, ka shkruar edhe zonja Osmani.
“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.
Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.” – shkroi Osmani.
Ndryshe Rama sot ka qëndruar edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka folur edhe për moskonfirmimin e takimit nga ana e Kurtit. Madje, z. Rama ishte thirur në normalt e Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke theksuar se as hasmit (armikut) nuk i mbyllet dera.
“Ta trajtojmë mes shqiptarësh. Kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin që kur hyn në shtëpi edhe hasmit i hapet dera dhe duhet ta nxjerrsh kur ai ta mbarojë fjalën.” – tha Rama.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë sot në mëngjes u shpreh se ka dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës të “13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë”. Rama shkroi se këtë po e bënte për t’ia hequr merakun Kurtit.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama.

