Putinit i ka mbetur veç kulti i fitores, asgjë tjetër
Shkruan: Kirill M A R T Y N O V
Vladimir Putin ka lindur shtatë vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, dhe është rritur me mitin e periudhës së Brezhnevit të fitores së madhe. Duke qenë një burrë pa arsimim të lartë, atij i pëlqen të citojë filmat sovjetikë dhe rrëfimet e moçme: Librat e historisë e portretizonin “luftën e madhe patriotike” si fabul magjike në të cilën heroi – populli rus – mposhtte monstrën, dhe krejt bota ia kishte zilinë. Në këtë mit nuk kishte vend për shumë fakte të luftës, të tilla si pakti Molotov-Ribbentrop, lufta me Finlandën, okupimi i Baltikut. Miti shpërfill deportimin e miliona polakëve.
Miti, i festuar sot për Ditën e Fitores së Rusisë, është bërë narrativa kyçe mbi të cilën mbështetet Putini për ta sunduar Rusinë përjetësisht.
Dhe erdhi një pikë ku Putini vendosi të qëndronte në pushtet përjetësisht. Zgjedhjet do të shkonin e do të vinin, dhe ai do të gënjente se s’do të merrte pjesë më, se nuk kishte për qëllim të ndryshonte kushtetutën ruse të vitit 1993, që ofron vetëm dy mandate radhazi. Strategjia e parë e tij për sundim të përjetshëm ishte që t’i lejonte qytetarët të bëheshin të pasur, derisa vendi bëhej më i pasur se që kishte qenë ndonjëherë në pjesën e dytë të viteve 2000. Por, kur rritja ekonomike ndaloi, me shumicën e pasurisë që u kap nga pak duar, atij iu desh t’i kthehej propagandës. Ai nisi t’i bënte thirrje sensit të “vlerave tradicionale” për të zmadhuar nocionin e rëndësisë së tij supreme mbi Rusinë – lideri i domosdoshëm që ishte e vetmja mbrojtje për rusët kundër perëndimorizimit dhe përhumbjes në detin e popujve evropianë.
Dhe Putini nisi ta besonte vetë propagandën e tij – dhe tash e kishte një mision historik e special për ta krijuar Rusinë e Madhe. Jo bash BRSS-në, sepse askush s’donte rikrijimin e Komunizmit, apo të shpikte ndonjë ideologji të re apo të rikolonizonte Azinë Qendrore por të siguronte fuqi të lirë punëtore për ekonominë ruse. Rusia e madhe e mbante veten si fuqia e tretë më e madhe e botës (bashkë me ShBA-të dhe Kinën). Dhe nëse rivalja ShBA-ja e kishte BE-në si satelit të sajin atëherë Rusia e Madhe duhej ta kishte sferën e saj të influencës. “Vlerat tradicionale” të Putinit ziheshin te homofobia dhe kulti i fitores ushtarake. Shpejt u bë e qartë se persekutimi i gejëve nuk përbënte strategji të qëndrueshme për sundim të përjetshëm të një lideri të forët. Kulti i fitores ishte i vetmi që mbeti.
Tabloja ngadalë mori formë. Opereta e militarizmit rus u rrit nga propaganda televizive, ku “ekspertë” të shumtë filluan të flisnin se si ne ishim më të fortët në botë, askush s’mund të na jepte neve urdhra, raketat tona mund të shkatërronin këdo që dëshironim. Ishte qesharake, por fjalimet e Putinit dalëngadalë nisën të tingëllonin si ato të neofashistit Vladimir Zhirinovski. Ai foli gjithnjë e më pak për gjëra si zhvillimi ekonomik. “Mund ta bëjmë përsëri,” u bë sllogani kryesor i Rusisë së Putinit, një referencë e qartë me faktin se rusët mposhtën nazizmin në Luftën e Dytë Botërore.
Putini ka fituar katër palë zgjedhje presidenciale, por zgjedhjet e pesta po afrohet më 2024. Covidi e goditi rëndë Rusinë dhe ekonomia u lëndua, e kësisoji opsionet e Putinit janë të pakta. Për mendjen e tij, mënyra më e mirë për ta mbajtur pushtetin është përsëritja e asaj fitoreje të madhe. Marshimi simbolik më 9 maj mund të mos mjaftojë; duhet ta mbushin imazhin me gjak.
Dhe kësisoji provuan ta bënin “përsëri”, duke orkestruar tragjedinë më të madhe të Evropës prej 1945-s. Kjo luftë është e para në botë që u shpik drejtpërdrejt përmes televizionit. Po ashtu ky është momenti kur Bashkimi Sovjetik përnjëmend ra, sepse Rusia, si trashëgimtare e asaj perandorie, nuk mund të kalojë këtë krizë me gjithë këto mite sovietike të paprishura. Nuk duhet të befasohemi që shumica e rusëve e kanë besuar një gjë të tillë dhe nuk iu bën për krimet ushtarake që po kryhen në Ukrainë. Nuk është thjesht që nuk e shohin tablonë e plotë. Është se, nëse nisni ta besoni propagandën, atëherë nuk mund të besoni më në Rusinë e vlerave tradicionale, në kombin e heroit të dites së fitores. E gjitha që mbetet është një person i egër që endet në rrënojat e një kleptokracie ushtarake, duke mbajtur valixhen ushtarake me vete në duar. Kush do që të besoj në një gjë të tillë?
Kush jemi ne, dhe si lejuam të ndodhte një gjë e tillë? Është e frikshme t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Rusët do të mbahen për mitet e tyre. Në ndërkohë, e kanë paradën ushtarke, dita e fitores mbaron, opiumi për masat.
Autori është kryeredaktor i Novaya Gazeta Europe.