Putini thotë se Rusia do të vendosë në gjendje gatishmërie raketa bërthamore “Sarmat” - NACIONALE

Putini thotë se Rusia do të vendosë në gjendje gatishmërie raketa bërthamore “Sarmat”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se Rusia do t’i kushtojë vëmendje të shtuar fuqizimit të forcave të veta bërthamore përmes vënies në gjendje gatishmërie të një rakete të re balistike ndërkontinentale, duke futur në shërbim raketa hipersonike e duke shtuar nëndetëse të reja bërthamore.

Një vjet pas dhënies së urdhrit për ta filluar pushtimin e Ukrainës, Putini ka dhënë shenjë se është i gatshëm që ta prishë arkitekturën e kontrollit të armëve bërthamore – përfshirë moratoriumin e fuqive të mëdha për testimin e armëve bërthamore – nëse Perëndimi nuk zmbrapset nga përkrahja për Ukrainën.

“Si më parë, ne do t’i kushtojmë vëmendje të shtuar fuqizimit të triadës bërthamore”- tha presidenti rus, duke iu referuar raketave bërthamore me bazë në tokë, në det dhe në ajër, gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror.

Raketa “Rs-28 Sarmat”, e njohur edhe me emrin “Satan 2”, ishte njoftuar fillimisht nga Putini më 2018. Këto raketa supozohej që të viheshin në gjendje gatishmërie vitin e kaluar, raporton agjencia “Reuters”.

Televizioni CNN ka raportuar se Shtetet e Bashkuara besojnë që Rusia ka kryer një test të raketës “Sarmat” pak para se presidenti amerikan, Joe Biden, ta vizitonte Ukrainën këtë javë, por se testi ka dështuar. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar rreth këtij raportimi.

Raketa me gjatësi prej 35 metrash ka rreze veprimi prej 18 mijë kilometrash dhe mund të bartë të paktën 10 objekte – secila me kokë bërthamore – dhe secila mund të drejtohet në caqe të ndryshme.

Lajme të ngjashme