Rusia thotë se do t’i respektojë rregullat e traktatit bërthamor me ShBA-në pavarësisht nga pezullimi
Rusia do t’u përmbahet kufizimeve të traktatit të ShBA-së për raketat bërthamore dhe do të vazhdojë që t’i informojë Shtetet e Bashkuara për ndryshimet rreth vënies së këtyre armëve në gjendje gatishmërie, tha të mërkurën një zyrtar i lartë i Mbrojtjes i Rusisë, pavarësisht nga pezullimi i traktatit të fundit për kontrollimin e armëve me Uashingtonin.
Të dyja dhomat e Parlamentit të Rusisë votuan shpejt për ta miratuar pezullimin e pjesëmarrjes së Moskës në traktatin “New Start”, duke i dhënë përkrahje vendimit të njoftuar nga presidenti Vladimir Putin të martën, kur ai e akuzoi Perëndimin se po mundohet që të shkaktojë humbje strategjike të Rusisë në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral-major Yevgeny Ilyin, u tha deputetëve të Dumës – dhomë e ulët e Kuvendit të Rusisë – se Moska do ta vazhdojë zbatimin e kufizimeve sipas traktatit për dislokimin e sistemeve bërthamore, me të cilat nënkuptohen raketat dhe aeroplanët bombardues bërthamorë.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA, e citoi Ilyinin te këtë thënë se Moska do t’i ofrojë Uashingtonit njoftime për dislokimin e armëve bërthamore me qëllim të “parandalimit të alarmeve të rreme, gjë e rëndësishme për mbajtjen e stabilitetit strategjik”.
Edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov, pati ton qetësues për këtë çështje. “Unë nuk besoj se vendimi për pezullimin e traktatit “Neë Start” na sjell më afër luftës bërthamore”- tha ai, sipas agjencisë “Interfax”.
Deklaratat e zyrtarëve rusë lënë të kuptohet që vendimi i Putinit do të ketë pak ndikim të menjëhershëm në praktikë, edhe nëse ai hedh dyshime mbi të ardhmen afatgjate të një traktati të nënshkruar për ta pakësuar rrezikun bërthamor përmes ofrimit të një niveli të transparencës dhe parashikueshmërisë nga të dyja palët.
Sipas traktatit të nënshkruar në vitin 2010, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk mund të kenë më shumë se nga 1.550 koka bërthamore në gjendje gatishmërie dhe jo më shumë se nga 700 raketa e aeroplanë të rëndë bombardues në gjendje gatishmërie.
Analistët e sigurisë thonë se rënia e mundshme e traktatit mes dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë ose dështimi për ta zëvendësuar atë, kur t’i skadojë afati më 2026, mund të nxisë një garë të re armësh në një moment të rrezikshëm, kur Putini gjithnjë më shumë po e portretizon luftën në Ukrainë si ballafaqim të drejtpërdrejtë me Perëndimin.

