Rusia e pezullon Traktatin për Pakësimin e Armëve Bërthamore me ShBA-në - NACIONALE

Rusia e pezullon Traktatin për Pakësimin e Armëve Bërthamore me ShBA-në

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në traktatin “New Start” – marrëveshje për pakësimin e armëve strategjike mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Jam i detyruar që të njoftoj sot se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në traktatin e armëve sulmuese strategjike”- tha ai.

Putini tha, gjithashtu, se Rusia duhet të jetë gati për të testuar armë bërthamore, nëse këtë veprim e bëjnë së pari Shtetet e Bashkuara, raporton televizioni BBC.

Traktati “New Start” është marrëveshja e fundit bërthamore që ka mbetur në fuqi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe afati i saj ishte zgjatur për pesë vjet më 2021.

Ky traktat ishte nënshkruar më 2010 në Pragë dhe kishte hyrë në fuqi më 2011. Në vitin 2021, pak pas ardhjes së Joe Bidenit në pushtet në ShBA. afati i marrëveshjes ishte zgjatur edhe për pesë vjet.

Me këtë marrëveshje kufizohej numri i kokave bërthamore që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të kenë në gjendje gatishmërie si dhe vendosja e bombarduesve dhe raketave me bazë në tokë dhe në nëndetëse për transportimin e kokave bërthamore.

Rusia i ka rezervat më të mëdha të kokave bërthamore në botë me afro 6 mijë të tilla, sipas ekspertëve. Së bashku, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rreth 90 për qind të kokave bërthamore në mbarë botën – sasi e mjaftueshme për ta shkatërruar planetin disa herë nga fillimi, raporton agjencia “Reuters”.

Lajme të ngjashme