Putin: Ata e filluan luftën, ne e përdorëm forcën për ta ndalur
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po mban një fjalim të martën. Sipas tij, Perëndimi e ka filluar luftën në Ukrainë, ndërsa Rusia e ka përdorur forcën për ta ndalur atë.
“Ne nuk kishim dyshim se gjithçka ishte e përgatitur. E tërë kjo ishte tërësisht kundër dokumenteve të pranuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Do të doja që të përsëris: ata e filluan luftën dhe ne e përdorëm forcën për ta ndalur atë”- deklaroi presidenti rus.
Ai tha se objektivi i Perëndimit është pushteti i pakufizuar dhe se Sevastapoli është qartazi cak i ardhshëm pas Donbasit.
Putini e akuzoi Perëndimin për “rrjedhë të pafundme të akuzave kundër Rusisë” në Konferencën e Mynihut për Siguri dhe tha se “Perëndimi e lëshoi xhindin nga shishja” si rezultat i luftërave. Për më tepër, ai e akuzoi Perëndimin për kryerjen e shumë puçeve.
Siç bën shpesh në fjalimet e tij, presidenti rus po flet për historinë. Sipas tij, në vitet e tridhjeta, Perëndimi ia kishte hapur derën Gjermanisë naziste.
Ai, gjithashtu, tha se Perëndimi e përkrahu një “puç anti-shtet” në Ukrainë më 2014. Ai thotë se njëri nga njësitet e ushtrisë ukrainase është i emëruar sipas një njësiti nazist gjerman dhe se “ata që janë në pushtet, zgjedhin që t’i mbyllin sytë para kësaj”.
Presidenti rus pretendoi se Rusia është përpjekur që ta zgjidhte konfliktin në Donbas me mjete paqësore. Sidoqoftë, sipas tij, zotimet e Perëndimit ndaj paqes dolën të ishin “mashtrim” dhe “gënjeshtër mizore” dhe pretendoi se Kievi është duke u munduar që të grumbullojë armë biologjike e bërthamore.
“Ne po bënim gjithçka që ishte e mundshme për ta zgjidhur këtë problem paqësisht, duke biseduar për një rrugë paqësore për të dalë nga ky konflikt, por një skenar shumë më ndryshe po përgatitej prapa shpinës sonë. Ata (Perëndimi) vetëm po luanin për kohë, duke i mbyllur sytë para vrasjeve politike, keqtrajtimit të besimtarëve”- shtoi ai.
Sipas presidentit rus, edhe pse nuk paraqiti ndonjë dëshmi, në Perëndim, “edhe pedofilia paraqitet si gjë normale”.
Ai thotë se Perëndimi e njeh martesën mes dy personave të gjinisë së njëjtë. “Kjo është në rregull. Ata janë të rritur. Kanë të drejtë për ta jetuar jetën e vet. Ne jemi gjithmonë shumë tolerantë për këtë në Rusi”- tha kreu i Kremlinit.
Megjithatë, shtoi ai, shkrimet e shenjta thonë se martesa është mes një burri dhe një gruaje. Putini i përmendi raportimet e medieve se Kisha e Anglisë është duke i shqyrtuar termet me gjini neutrale për Zotin.
Akuzat ndaj Perëndimit, megjithatë, po zënë vend të madh në fjalim. “Sakrifica dhe tragjedia njerëzore nuk llogariten nga ta... Ata duhet ta vazhdojnë vjedhjen nga të gjithë, duke e maskuar veten me slogane të demokracisë dhe të lirisë”- vazhdoi presidenti rus.
“Ukraina dhe Donbasi janë bërë simbol i gënjeshtrave totale”- shtoi Putini, duke e akuzuar Perëndimin se është tërhequr nga “marrëveshje themelore” dhe se po jep “deklarata hipokrite” si dhe për zgjerimin e NATO-s e “po na mbulojnë me një çadër”.
Ai i falënderoi njerëzit në rajonet separatiste, “që kanë qenë me mëmëdheun e tyre”. “Nuk kishte asgjë më të guximshme se vendimi juaj për të qenë me Rusinë, me mëmëdheun tuaj. Për paraardhësit tanë dhe për të ardhmen e fëmijëve e stërnipave e stërmbesave tona... për ta rikthyer drejtësinë historike... për këtë po luftojnë heronjtë tanë”- tha presidenti rus, duke u kërkuar pjesëmarrësve në sallë që t’i nderojnë ushtarët rusë që kanë vdekur.
Sipas presidentit rus, Perëndimi ka filluar “jo vetëm një agresion ushtarak e të informacionit, por edhe një agresion ekonomik”. “Ata nuk kanë arritur sukses në asnjërën prej këtyre fushave”- pretendoi ai.
“Nismëtarët e sanksioneve janë duke e ndëshkuar veten. Ata nxitën rritje të çmimeve, mbyllje të fabrikave, kolaps të sektorit të energjisë dhe po u thonë qytetarëve të tyre që rusët duhet të fajësohen”- shtoi kreu i Kremlinit.
Presidenti rus po flet edhe për numrat e zvogëluar të prodhimit vendës bruto, por, në vend të kolapsit ekonomik rus, po pretendon se ekonomia e Rusia është ristrukturuar dhe se vendi i tij ende bën tregti me shumë pjesë të botës.
Për më shumë përmbajtje nga pjesa e dytë e fjalimit të presidentit rus, hapeni artikullin e mëposhtëm:

