Pushteti nuk i ndalon ‘tomahawkat’ kundër medies, gazetarët i krahason me derra
Sulmet e pushtetit aktual ndaj mediave nuk kanë të ndalur. As kritikat e evidentuara nga Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka stepur eksponentët e pushtetit, përfshirë ministrat, në sulmet ndaj medies.
Përveç burrit të presidentes Vjosa Osmani, Prind Sadriut, fjalë të rënda për media janë duke bërë edhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës.
Hiç më larg se sot, një krahasim krejt banal, të çuditshëm e madje skandaloz e ka bërë Avni Zogiani, i cili gjatë Qeverisë Kurti 1 ishte zëvendës ministër i Mjedisit.
I ftuar në emisionin Frontal të televizionin T7, Zogiani, që është zyrtar i VV-së tha se “të luftosh me median është sikur të luftosh me derrin”.
“Është gabim të futesh në luftëra të tilla, është një thënie e një gazetari amerikan ‘nuk duhet kurrë ta fillosh një luftë me media, të luftosh me gazetarin, është ngjashëm si të luftosh me derrin, ti bëhesh i pistë, ai bëhet i pistë.’ I pëlqen gazetarit, sepse në fakt mediat, gazetarët kanë dëshirë të kenë reagime të tilla” tha ai.
Krejt në mëngjes, rreth mediave u deklarua edhe kryeministri Kurti, i cili i këshilloi mediat të mos i cilësojnë për fakte ato çfarë shkruajnë mediat në Serbi.
“Deklaratat të cilat vijnë nga Beogradi nuk bënë kurrsesi që t’i merrni si fakte. Këtë na e mëson edhe e kaluara jonë edhe e tashmja jonë. Natyrisht që ne e kemi shtuar shumë buxhetin për mbrojtjen e Kosovës - është rritur për 52% për vitin 2022 krahasuar me buxhetin e viti 2021. Mirëpo për të gjitha hapat e mëtutjeshëm që ne marrim duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, nga Forca e Sigurisë së Kosovës, pra nga ministri Mehaj, nga komandanti Jashari, nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kurrsesi nga Beogradi. Nuk ka nevojë që ata t’ju gënjejnë edhe më shumë e që ta kuptoni që nuk duhet t’ju besoni më asnjëherë”, tha Kurti.
E raportimet për këtë deklaratë të Kurtit, nuk i pëlqeu vartësit të tij, Përparim Kryeziut, i cili i reagoi një mediumi për mënyrën se si shkroi për deklaratën e shefit të ekzekutivit.
Gjatë ditës, Kryeziu, që ushtron rolin e zëdhënësit të Qeverisë, e vazhdoi polemikën me mediat.
E në garën se kush po e godet më mirë e më shumë mediat, i pamposhtur është Arlind Manxhuka, zëdhënësi i VV-së, i cili vazhdimisht merret me mediat duke i sulmuar ato me etiketime të ndryshme.
Ditë më parë mediat ranë edhe në radarin e Xhelal Sveçlës, ministër i Punëve të Brendshme gjatë një konference për media.
Meqë u përballë me një pyetje rreth punësimit të motrës së tij, Sveçla shpërthue në reagimin duke e cilësuar pyetjen e gazetares si “budallallëqe”.
Kundër kësaj gjuhe, i menjëhershëm ishte reagimi i Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e cila e quajti të papranueshme gjuhën e përdorur nga ministri Sveçla.
Por, ‘ylli’ i sulmeve kundër medies është zotëriu i parë, Prindon Sadriu, i cili herë pas herë lëshon nga një ‘tomahoëk’ ndaj gazetave e televizioneve kosovare.
“Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, “Kur perfaqesuesit e Ndermarrjeve te Perbashketa kriminle, ‘gazetaret’ e parapoliikes, e persona te perfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë”, “makineri të përhapjes së dezinformatave”, ishin disa nga cilësimet që u dh mediave Sadriu.
Këto janë vetëm disa nga shumë sulme të ashpra të Sadriut. Një gjuhë dhe qasje e tillë ndaj mediave nga zotëriu i parë, Prindon Sadriu, është kritikuar nga organizata brenda dhe jashtë Kosovës. Në mesin e tyre ishte raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, AGK-ja, Federata Evropiane e Gazetarëve si dhe zyra e BE-së në Kosovë.
“Kosova ka shërbyer si shembull për një mjedis pluralist, si rezultat do të dëshironim të shihnim që standardet e shprehjes së mendimit të mbeten të tilla, të mbështetura dhe gazetarët të mbrohen nga presioni politik” shkroi Von Cramon në Tëitter me 9 shkurt të këtij viti.
Emri i Shefi të Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi poashtu u bë i njohur për publikun për sulmet ndaj medieve, duke i quajtur “biznese kriminale”.
“Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetari në vend”, shkruante në një reagim Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.