Pushteti me paralajmërime: Sveçla flet për sulm nga Serbia, Maqedonci kërkon pakt mossulmimi
Lëvizja Vetëvendosje dhe pushteti në përgjithësi në vazhdimësi është në një “mode” të paralajmërimeve për sulm të mundshëm nga Serbia. Albin Kurti, Glauk Konjufca, Donika Gërvalla e deri diku edhe Vjosa Osmani janë disa prej personaliteteve që kanë këtë brengë. Së fundmi, Xhelal Sveçla e Ejup Maqedonci, i pari ministër i Punëve të Brendshme dhe i dyti i Mbrojtjes, kanë hyrë në këtë “valle të paralajmërimeve”.
Duke folur në një medium të Shqipërisë, ministri Sveçla tha se shteti i Kosovës ka mbledhur shumë dëshmi për grupin terrorist. Madje, Sveçla vlerësoi se në rastin e Banjskës është i përfshirë edhe vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa shtoi se Kosova është e gatshme t’i përgjigjet çdo lloj agresioni të gurpeve terroriste.
“Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiç ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë. Ne kemi skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e kapaciteteve tona për t’iu përgjigjur çdo lloj agresioni të grupeve terroriste të financuara nga Serbia.
Ne po punojmë që 17 % e territorit të Kosovës t’i kthehet normalitetit. Të gjithë e dimë se për 22-23 vite situata në veri të Kosovës, në 4 komunat veriore nuk ka qenë normale. Ka qenë një agresion i hapur i Serbisë përmes instrumenteve të saj, që është shpërfaqur herë shumë agresive, duke shtypur popullin shqiptar atje, si në vitin 2000 kur u shpërngulën nga Mitrovica e Veriut 11 mijë shqiptarë e u vranë 11 persona” - tha Sveçla në Euronews Albania.
Ndërsa Maqedonci, që udhëheq me Ministrinë e FSK-së, foli për nevojën e një pakti të paqes. Pra Maqedonci e risolli në vëmendje idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një pak “mossulmimi” me Serbinë.
“Një ndër kërkesat kyçe të kryeministrit të Kosovës që para se të hyhet në proces të dialogut dhe bisedime të bëhet një traktat i paqes, pra mossulmimit mes dy vendeve dhe kjo do të duhej të shërbente si bazamenti bazamaneti i dialogut. Vlerësoj se kjo duhet të mbetet një ndër pikat që duhet të diskutohet para se të fillohet të vendoset për çështje të tjera në kuadër të dialogut” – tha Maqedonci per RTV 21.
Sot ka pasur edhe një zhvillim tjetër interesant. Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, ka folur për gjendjen e sigurisë në veri të vendit. Në cilësinë e shefes së Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Musliu tha se gjendja në veri është e qëndrueshme.
Megjithatë, Musliu vlerësoi se një grup i armatosur është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe Kralevës.
“Mund të themi ose të konstatojmë se gjendja e sigurisë në Kosovë në përgjithësi është stabile. Situata në katër komuna në veri është e qëndrueshme, edhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste që trajnohen e streohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat intelegjente, së fundi, grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe Kralevës. Grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Radojiçiq vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete financiare, armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar. Në vazhdimësi, janë duke planifikuar, diskutuar, mundësi për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radojiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e Serbisë, zyrtarë të lartë shtetërorë si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale në shtrirje rajonale.” – ka thënë ajo, transmeton Nacionale.