Pushteti injoron shqetësimet e BE-së, miraton Projektligjit për Lojërat XXI Mesdhetare Prishtina 2030: Haxhiu kritikon Zyrën e BE-së - NACIONALE

Pushteti injoron shqetësimet e BE-së, miraton Projektligjit për Lojërat XXI Mesdhetare Prishtina 2030: Haxhiu kritikon Zyrën e BE-së

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës sot ka injoruar shqetësimet e thella të Bashkimit Evropian rreth Projektligjit për Lojërat XXI Mesdhetare Prishtina 2030.

Pavarësisht rekomandimeve të forta që ky projektligj të përmirësohet, deputetët e VV-së me 64 vota kanë miratuar projektligjin. Deputetët e opozitës, pas vërejtjeve ndaj projektligjit, nuk kanë marrë pjesë në votim.

Madje, kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhu, i kanë penguar rekomandimet e deputeteve të opozitës që të merren parasysh vërejtjet e BE-së.

Pas vërejtjeve të opozitës, ajo ka thënë se Kuvendi i Kosovës përfaqëson vullnetin e qytetarëve, jo Zyra e BE-së.

Është Kuvendi që përfaqëson interesat e qytetarëve dhe janë përgjegjës për me vlerësua për këtë. Ne i respektojmë partnerët tanë, në këtë rast edhe Zyrën e BE-së, por unë nuk mund ta marr parasysh me tepër një letër të Zyrës së BE-së se sa vullnetin e qytetarëve të shprehur në këtë Kuvend. Për mua ky është rëndeshim, sepse ju jeni përfaqësues të qytetareve”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë me dije se vendi mund të shkojë në zgjedhje dhe projektligji rrezikon të mos miratohet.

Unë e kam taku edhe përfaqësuesen e zyrës së BE-së, e ka adresu këtë shqetësim dhe i kam thënë se nuk jemi në rrethana normale sepse nëse deri më 27 ky Kuvend nuk e zgjedh Presidentin/en e vendit, me automatizëm Kuvendi shpërndahet. Paramendoni kur Kosova ka marrë përgjegjësi për të organizuar Lojërat Mesdhetare dhe ne jemi shumë vonë për shkak të procedimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, prandaj ju kërkoj e ju ftoj që të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që i keni”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, partnerët janë partnerë, por Kuvendi është më i rëndësishëm.

Nëse dikush don që Kosova me dështu në organizimin e lojërave mesdhetare, shumë gabim e ka, sepse unë pe shoh këtë tendencë sot këtu. Prandaj, ju ftoj të reflektoni dhe t’i kemi parasysh përgjegjësitë që i keni ose të zgjedhim Presidentin dhe vazhdojmë procedurat tjera pa asnjë nguti. Por, te konfiskimi i pasurisë, sigurimet shëndetësore, Lojërat Mesdhetare, te çmimet tavan jemi me vonesë. Disa herë unë u përpoqa të mos flas, por në vazhdimësi përmendet emri im, unë këtë Kuvend e kam parasysh asgjë tjetër”, ka thënë Haxhiu.

Duke i reaguar deputetes Blerta Deliu-Kodra, ajo e ka ftuar atë dhe deputetët tjerë të opozitës ë të mos bëhet zëdhënës të BE.

“Ju ftoj që të bëheni zëdhënës të qytetarëve e jo zëdhënës të zyrës së BE-së sepse ata i kanë zëdhënësit e tyre”, është shprehur Haxhiu.

Vërejtjet e BE-së

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime të thella në lidhje me Projektligjin për Lojërat XXI Mesdhetare Prishtina 2030, i cili sot pritet të miratohet në lexim në dytë në Kuvendit.

Zyra e BE-së në Prishtinë dje i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ku i kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me këtë projektligj.

Në këtë letër, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, vlerësohet se projektligji aktual paraqet rreziqe të konsiderueshme për menaxhimin e financave publike (MFP), transparencën dhe llogaridhënien.

Sipas BE-së, ky projektligj do të ketë implikimet e konsiderueshme buxhetore prej rreth 254 milionë euro.

Nder shqetësimet kryesore të BE-së është anashkalimi i legjislacionit ekzistues të prokurimit publik.

Aplikimi i rregullave të veçanta që lejojnë anashkalimin e legjislacionit ekzistues të prokurimit publik, si dhe përparësia e tyre në rast konflikti me ndonjë ligj tjetër”, thuhet në letrën e BE-së, duke treguar shqetësimin e dytë.

Roli dhe fushëveprimi i 'njësisë speciale për mbikëqyrje' të mandatuar për t'u krijuar nga Qeveria, paraqet rreziqe për shkak të statutit të saj të paqartë ligjor në projektligj, pavarësisë dhe strukturës së raportimit, statut i cili mund të bie ndesh me organet ekzistuese për mbikëqyrje”, është thënë në letër.

Me pas tregohet edhe shqetësimi i tretë i BE-së.

Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (OCMG), siç parashihet në projektligj, duket se nuk është i ndërlidhur me ligjet ekzistuese të prokurimit publik, por në vend të saj, parashihet të vendosë rregulla të veta të prokurimit bazuar në parime të paqarta (p.sh.praktika më të mira ndërkombëtare të transparencës, integritetit, etj). Mungesa e qartësisë ligjore dhe llogaridhënieje ngre shqetësime serioze në lidhje me pajtueshmërinë me standardet për menaxhimin financiar publik”, është thënë në letër.

Sipas BE-së, versonin aktual i projektligjit rrezikon të minojë përputhshmërinë me dispozitat e acquis së BE-së, të dobësojë integritetin fiskal dhe të rrisë cenueshmërinë ndaj korrupsionit.

Në verzionin aktual të projektligjit, ai rrezikon të minojë përputhshmërinë me dispozitat e acquis së BE-së, të dobësojë integritetin fiskal dhe të rrisë cenueshmërinë ndaj korrupsionit”, është thënë në letër.

Në fund, Zyra e BE-së në Prishtinë ka kërkuar që projektligji të modifikohet.

Duke pasur parasysh urgjencën e leximit të dytë, ne rekomandojmë që para miratimit, projektligji të modifikohet sipas nevojës për të qenë në përputhje me dispozitat ekzistuese ligjore për financa publike, vecanërisht ato dispozita lidhur me prokurimin public, auditimin, raportimin financial, përfshirë anti-korrupsion dhe mbikqyrje parlamentare”, përfundon letra e BE-së.

Lajme të ngjashme