Pse vetëm "dy ambasadorë e gjysmë" të Quintit i shkuan Kurtit në Zyre dje? - NACIONALE

Pse vetëm "dy ambasadorë e gjysmë" të Quintit i shkuan Kurtit në Zyre dje?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka pritur në takim përfaqësuesit diplomatikë të Francës, Italisë dhe Gjermanisë, dhe ku duket se është folur edhe në lidhje me takimin e nivelit të lartë të 2 majit. Dhe si shumçka tjetër, edhe ky takim rrit konfuzionin në lidhje me procesin e dialogut.

Zyra e Kryeministrit njoftoi për takimin në fjalë gjatë ditës së djeshme.

Megjithatë, domethënëse në këtë takim ishte përbërja e diplomatëve që i shkuan në zyrë Kurtit.

Gjysmë-Quinti

Para Kurtit ishin shfaqur – thënë kushtimisht – “dy ambasadorë e gjysmë” nga pesëshja e Quintit (ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia).

Te Kurti ishte ambasadori i Francës, ambasadori i Italisë dhe zv. ambasadori i Gjermanisë. Pra, nuk ishte askush nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar derisa edhe Gjermania ishte e nënpërfaqësuar në krahasim me dy shtetet tjera partnere të Kosovës.

Ishte ambasadori i Francës njeriu kryesor nga ana e diplomatëve të këtyre tri shteteve.

Çka tha Kryeministria?

Në njoftimin e lëshuar për medie, Kryeministria pretendon të jetë folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksit të Zbatimit, si dhe për takimin e 2 majit në Bruksel.

“Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës të nivelit të lartë politik, ai tha se pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara.” – shkruan ZKM-ja.

Aty po ashtu u dënuan edhe sjelljet e Serbisë që sipas Kryeministrisë shkelin Marrëveshjen Bazë.

Në këtë takim, raportohet nga Kryeministria se Kurti iu ka kërkuar këtyre shteteve që ta vazhdojnë mbështetjen e Marrëveshjes Bazë “deri në zbatimin e plotë të saj.” Ndërsa, përkundër që e ka përmendur mbështetjen e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe ShBA-ve ai nuk ka përmendur edhe mbështetjen nga ana e Mbretërisë së Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar kishte mbështetur procesin e dialogut në Bruksel, por që nga 18 marsi (Marrëveshja e Ohrit) megjithatë kanë munguar deklaratat inkurajuese për Kosovën.

Zbatimi?

Ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka qenë kritik ndaj zgjedhjeve që u mbajtën javën e kaluar në veri për dallim nga kolegët e tij të tjerë nga Qunti që kishin thënë se rezultatet do të pranoheshin.

“Zgjedhjet me kaq pak votues nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike...”kishte thënë ai.

Të paktën publikisht nuk është thënë se temë e këtij takimi kanë qenë zgjedhjet në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Sa i përket asaj që u tha se është folur, zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit, Qeveria e Kosovës me anë të ministrit Elbert Krasniqi sot në mëngjes ka njoftuar se më datën 18 prill e kishte ftuar për takim ekipin menaxhues për draftimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një deklaratë pak më të ndryshme dje e kishte bërë kryeministri Kurti, duke lënë të nënkuptohej se kishte pasur edhe ftesa tjera.

“...ministri im Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim këtyre mirëpo ata nuk janë përgjigje asnjëherë.”kishte thënë z. Kurti.

Përgjegjësia për të ofruar një draft në lidhje me statutin në bazë të marrëveshjeve të prillit ishte pikërisht te ekipi menaxhues, siç e kishte potencuar edhe kryeministri i Kosovës.

“Draft-statute në të kaluarën kanë konsideruar që e ka për detyrë (që t’i shkruajë) ekipi menaxhues.” – kishte thënë tutje Kurti, duke treguar se më 18 mars nuk e kishin lënë që draft-statutin ta shkruante vetë ai.

ShBA-ja

Emisari i posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte kërkuar në anën tjetër që Kosova ta kishte një propozim konkret për Asociacionin deri më 2 maj.

“Shpresoj që deri më 2 maj të ketë një propozim konkret (për Asociacionin)” ishte shprehur z. Escobar.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra.” – kishte vazhduar ai.

Ambasadori Hovenier së bashku me ambasadorin Abbott nga Mbretëria e Bashkuar u panë sot bashkë me Kurtin në një aktivitet për personat e pagjetur.

Lajme të ngjashme