Pse u bë Kërçova ‘Kičevo’? - NACIONALE

Pse u bë Kërçova ‘Kičevo’?

6 ditë më parë

nga Col Mehmeti

Nëse në prapaskena nuk la mjet pa përdorur vetëm e vetëm që ta ndihmonte VMRO-DPMNE-në, VLEN-i nuk pati këllqe për të kremtuar bashkë me maqedonët fitoren në Kërçovë. Prej vitesh, vëmëroistët e thanë zëshëm se nuk do ta linin Kërçovën të bëhej ‘Shqipëri’. Dhe këtë e arritën falë afro dy mijë votave shqiptare të cilat e përcaktuan vendimtarisht fitoren e Aleksandar Jovanovskit në Kërçovë. VLEN-i e bëri fli edhe një komunë tjetër shqiptare, si Bërvenicën, duke mos e përkrahur kandidatin e vet që humbi për 150 vota përballë rivalit maqedonas.

Col Mehmeti

3 nëntor 2025 – Kur Nikolla Gruevski më 2013 uluronte në mitingje “Kičevo bilo i ke ostane Republika Makedonija”, pak vetë nga rrethi i tij mbanin shpresë se Kërçova do të mbetej në duart maqedone.

Askujt nuk do t’i ketë shkuar ndërmend që dymbëdhjetë më vonë votat shqiptare do t’i hapnin kanatat e portave për ardhjen e një VMRO-DPMNE-je të ngjallur.

Ligji i Murphyt se “çdo gjë që mund të shkojë mbrapsht do të shkojë mbrapsht” u zbatua pikëpërpikë në Kërçovë.

Mijëra votues nga mërgata shqiptare nuk mjaftuan që të sprapsej përpjekja e gjithë qeverisë së Hristijan Mickoskit për rimarrjen me çdo çmim të komunës së Kërçovës.

Në balotazh ku lufta etnike ka trajtën e një gare zgjedhore, kandidati i VMRO-DPMNE, Aleksandar Jovanovski doli i fituar me 14,228 vota ose 52,09% kundrejt Fatmir Deharit të koalicionit ‘Aleanca Kombëtare për Integrim’ që mori 12,208 vota ose 44,70%.

VLEN-i e përmbushi ëndrrën e vjetër të Gruevskit

VLEN-i nuk e luajti qerpikun nga revanshi pasi kandidati i saj, Fatmir Limani, në rrethin e parë të votimeve mori vetëm 4,164 vota ndër kërçovarë.

Nëse jo en masse, së paku nja dy mijë vota të VLEN-istëve janë zhvendosur e kanë kaluar në llogari të kandidatit maqedon.

Le të bëjmë një zhbirim mes numrash.

Në vitin 2021, Jovanovski mori 10,812 vota ose 44,82% përballë kandidatit shqiptar me 12,923 vota ose 53.57%.

Nëse tani Dehari pothuajse pati të njëjtën sasi votash, rivali i tij maqedon pati një rritje të pabesueshme prej 30 për qind në krahasim me rezultatin e korrur katër vite më parë.

Nga 2013-a e këndej, gara për komunën ka qenë më fort etnike sesa politike, dhe e tillë afërmendsh që ishte edhe sivjet.

Kjo përqindje e papritur për kandidatin maqedon nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse nga lëvizja e një porcioni strategjik të votës shqiptare në drejtim të kandidatit vëmëroist.

Ajo që në gjuhën e kriminalistikës detektive quhet smoking gun (copë dëshmie e papërgënjeshtrueshme), në realitetet kërçovare ishte vetëm hakmarrja e Fatmir Limanit dhe votuesve të tij VLEN-istë – ndryshe nuk shpjegohet zhvendosja e mbi 2 mijë votave shqiptare.

Fundi i shqiptarokracisë


Se Kërçova po rrëshqiste drejt një teposhtëze ku shqiptarët do të mënjanoheshin politikisht, kjo u duk gjatë gjithë vitit, madje u paralajmërua me kohë – oguret e para dukeshin edhe nga përplasjet në këshill komunal, ashtu sikurse edhe nga tri kandidatura rivale shqiptare.

Për detraktorët e BDI-së, gjithçka mori në thua kur u kandidua për herë të katërt Fatmir Dehari.

Por, oferta me sa duket e gabuar e BDI-së ështe temë në vete dhe nuk e shpjegon asfare kaleidoskopin e dinamikave në rrethin e dytë të votimeve.

Balotazhi, dhe këtë duhet thënë zëlartë, është luftë etnike ku ‘përleshja’ bëhet në formën e një gare zgjedhore.

Opozitarizmi maqedon as nuk i pati në thumb përgjimet e pretenduara për Deharin dhe as përmbushjet a mospërmbushjet e premtimeve për katër vitet e kaluara të mandatit.

Opozitarizmi maqedon e mësyu garën që Kërçovën ta bënte ‘Maqedoni’ e t’i jepte fund shqiptarokracisë (sundimit të shqiptarëve).

Në çfarëdo skenari, përpjekja maqedone, edhe sikur të dilte e bashkuar, nuk do t’ia bënte as vijë nëse nuk do të kishte pas vete një mbështetje tacite nga ana e VLEN-it.

Ashtu siç ngjau me Bërvenicën, edhe Kërçova po del të jetë rrëfimi i një komune ku pakica e anashnxjerr shumicën nëpërmjet votave nga po e njëjta shumicë.

Kur sheshi i qytetit dje u vërshua nga militantë të VMRO-së, aty nuk u duk se fitoi vëllazërimi multi-kulti e as nuk pati vend për aleatët nga VLEN-i.


Të rinjtë, mundësia e humbur e BDI-së


Në vend të një lamenti, një tablo prej së vërteti krijohet vetëm kur peshohet mirë e mirë edhe sjellja e BDI-së.

Ajo krijoi pa pikë nevoje eksperimente rrezikzeza mu në bastione të konsoliduara siç ishte Kërçova, dhe kjo rrëmujë i ngjan aq fort skenarit të Drenasit ku PDK-ja i futi vetes ferrë në këmbë të shëndoshë.

Me tri mandate të njëpasnjëshme, Fatmir Dehari u vetëkonsumua, dhe rizgjedhja e tij edhe për një tjetër mandat ishte mungesë imagjinate nga BDI-ja.

Asaj hesapet do t’i dilnin shumë më mbarë sikur të mbështeste avokatin 32-vjeçar, Shkodran Alili, i cili u detyrua të dilte në garë si kandidat i pavarur.

Edhe pa mbështetjen e dy taboreve politike, që në fund vendosën të barabiteshin secili me pehlivanin e vet, performanca e tij e meriton të mbahet shënim si një nga më mbresëlënëset në Maqedoni.

Me forcat e veta e me një fushatë bukurisht kreative, ai mori 4,006 vota.

Në këtë dritë nuk është e tepërt të hamendësohet se Alili do të ishte njësoj si Suat Shaqiri, i vetmi që e mbajti të pacenuar nderin e BDI-së duke e fituar për herë të parë komunën e Çashkës në zemër të Maqedonisë.

Po kështu, asnjë fuqi arsyetimi nuk e absolvon as vetë kryeparin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Në kohën kur do të duhej t’i përvilte mëngët për një betejë fort sfiduese, siç qe balotazhi në Kërçovë, ai dëftohej gati i çinteresuar.

Mbiprania e tij në Shqipëri e Kosovë – ku, sidoqoftë, vazhdon të ketë një simpati në rritje për të – qëlloi fatale për atë që ishte çerdhe e BDI-së.

Në ditën e balotazhit, menjëherë pasi votoi në mëngjes, ai mësyu në Tiranë për të bërë homazhe për ish-kryetarin socialist, Fatos Nano. Si është e mundur kjo?

Lukse të tilla shkëputje nuk janë të tolerueshme në një kohë kur e gjithë makineria qeveritare kishte ngulur çadrat në Kërçovë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme