Pavarësia e Kosovës cakërron shqiptarë e maqedonas në Kërçovë - NACIONALE

Pavarësia e Kosovës cakërron shqiptarë e maqedonas në Kërçovë

10 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Prej riardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, fryma revanshiste po kthehet në përditshmëri në Maqedoninë e Veriut. Tensionet nga sipër po përthehen edhe në përplasje në nivelet lokale të pushtetit, ku sherr bëhen edhe diskutimet e thjeshta për shënime festash e datash jubilare. Megjithëse ngjarje të tilla mund të jenë përplasje të zakonta, siç kanë ndodhur edhe herave të kaluara, ka arsye për të besuar që gara e sivjetme zgjedhore në Kërçovë të kthehet në një ‘betejë’ etnike të cilën e ysht edhe më fort demografia në rënie.

Col Mehmeti

Peizazhi i ri politik në Maqedoni, pas fuqizimit dhe riardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, është bërë skenë e përplasjeve ndëretnike në nivel pushtetesh lokale. Gaca përplasjesh ka në ato komuna ku demografikisht asnjëri nga grupet kryesore etnike nuk ka epërsi të konsiderueshme.

Rasti i fundit në Kërçovë mund të jetë përtej një ndodhie të zakonshme. Ditëshënimi i Pavarësisë së Kosovës dhe përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë bërë vegëz për t’u cakërruar mes vete përfaqësuesit e të dyja komuniteteve në Këshillin Lokal të Komunës së Kërçovës.

Kështu, në seancën e 44-të e Këshillit Komunal të Kërçovës, të mbajtur paraditën e së enjtes, shqiptarë e maqedonas nuk janë marrë vesh aspak për çështjen mbi atë se cilat festa dhe shënime ngjarjesh jubilare e datash duhet të fiksohen në kalendarin e sivjetmë të Komunës e Kërçovës.

Me këtë rast, përfaqësues lokalë të VMRO-DPMNE-së kanë kërkuar heqjen nga rendi i ditës i pikës sa i përket festave dhe shënimit të datave të rëndësishme për Kërçovën, në të cilat parashihej edhe 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës, dhe 10 qershori, Dita e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Këshilltarët lokalë, Mihajlo Daniloski dhe Valentina Lazarevska kanë kundërshtuar festimin e këtyre datave me arsyetimin se ato nuk kanë të bëjnë asgjë me kulturën lokale.


Arenë përplasjesh

Një përplasje si kjo fare lehtë mund të jetë prologu i një ndryshimi të papritur mbi atë se kush do ta drejtojë komunën e Kërçovës me rastin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Komuna në zemër të Maqedonisë Perëndimore udhëhiqet që prej vitit 2013 prej shqiptarëve, gjë që ishte mundësuar falë ligjit për ndarje territoriale ku Kërçovës i ishin bashkuar komunat rurale të Zajazit, Osllomesë, Drugovës dhe Vraneshticës.

Pas ribashkimit të Kërçovës në kufijtë e vet administrativë, kandidati i BDI-së, Fatmir Dehari është zgjedhur për tre mandate radhazi si kryetar i komunës. Në dy palë zgjedhjet e kaluara, dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, ishin bashkuar mes vete duke u rreshtuar pas një kandidati të përbashkët.

Bashkimi i partive maqedone në Kërçovë e pati sfiduar seriozisht Deharin dhe BDI-në në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021.

Kështu, në rrethin e parë të zgjedhjeve kandidati i VMRO-së, Aleksandër Jovanovski pati marrë 8801 vota, kurse Fatmir Dehari 8545 vota.

Vetëm me pjesëmarrjen e votuesve nga diaspora, kandidati i BDI-së ia doli mbanë garës zgjedhore duke i marrë 12,935 vota, ose 2017 vota më shumë sesa rivali i tij maqedonas.


Beteja për Kërçovën mes demografisë dhe zgjedhjeve

Një skenar i tillë ka mjaft të ngjarë që të përsëritet edhe sivjet. Jo pak e diskutuar në media e ndër komentues politikë është çështja e demografisë. Më 2013, pasi ribashkimit me komunat rurale të Zajazit dhe Osllomesë, përqindja e shqiptarëve në Kërçovë ishte ajo e një shumice relative prej 54.51 për qind.

Mirëpo, realitetet e reja dhe migrimi i vazhdueshëm i shqiptarëve ka prodhuar një tablo krejt të re për strukturën etnike në këtë komunë. Së paku, nga regjistrimi i vitit 2021, numri rezident i shqiptarëve është 16,373 ose 41.26 përqind, duke shënuar një përgjysmim për njëzet vjet.

Në anën tjetër, numri i maqedonasve nuk ka pësuar rënie të konsiderueshme në përqindje, meqë sipas statistikave të 2021-s si maqedonas janë deklaruar 16,020 vetë ose 40.38 përqind.

Prej vitit të kaluar kur VMRO-DPMNE u rikthye në pushtet, kurse BDI kaloi në opozitë, ka pasur plot incidente e përplasje ndëretnike. I tillë kishte qenë edhe skandali në shtator të vitit të kaluar ku ishte fshirë gjuha shqipe në të gjitha tabelat dygjuhëshe në autostradën që lidh Kërçovën me Ohrin.

Një pikë tjetër për të cilën janë cakërruar heshtat është edhe largimi nga puna i shumë zyrtarëve dhe profesionistëve shqiptarë nga ministritë dhe institucionet e larta shtetërore.

“Institucionet po spastrohen prej shqiptarëve”

Kështu, BDI gjatë të premtes ka ngritur alarmin se gjyqësori në vend është kthyer në një mjet për zbatimin e agjendave monoetnike, kurse shqipja cak sulmesh nacionaliste nga ata që synojnë ta degradojnë.

Në një reagim për media, kjo parti ka theksuar se përfaqësimi i drejtë dhe proporcional, i cili qe një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, për herë të parë ka mbetur pa mbrojtje ligjore.

“Shërbimet e sigurisë janë spastruar nga profesionistët shqiptarë, ndërsa bizneset shqiptare janë përjashtuar nga proceset e prokurimeve publike. Kjo qasje diskriminuese dhe politika që margjinalizojnë shqiptarët dëshmojnë mungesën e legjitimitetit dhe kapacitetetit të kësaj qeverie për të mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë”, është thënë në kumtesë.

Sipas BDI-së, shqiptarët nuk do të qëndrojnë indiferentë karshi degradimit të dinjitetit të tyre institucional e kombëtar.

“Shqiptarët nuk do të heshtin përballë këtyre padrejtësive dhe do të vazhdojnë të mbrojnë dinjitetin e tyre institucional dhe kombëtar të garantuar me sakrificë dhe marrëveshje ndërkombëtare”, është thënë mes të tjerash në këtë reagim.

Lajme të ngjashme