PDK: VV krijoi precedent të rrezikshëm me thirrjen e seancës, nuk qëndrojmë duarkryq
Partia Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar fuqishëm thirrjen e seancës konstituive nga Lëvizja Vetëvendosje pas afatit kushtetues.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, PDK ka thënë se ky është një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.
“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton fuqishëm këtë veprim, i cili nuk është vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë.
Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror. Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
PDK ka paralajmëruar se “nuk do të qëndrojë duarkryq”.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është çështje interpretimi politik, por themeli i rendit demokratik dhe juridik të shtetit. Prandaj, ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq. Mbrojtja e Kushtetutës dhe e shtetit të së drejtës është detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.