PSD futet live në RTK: Televizioni i Kurtit
Lajmet Qendrore në Televizionin Publik të Kosovës, janë penguar nga Partia Social Demokrate, e cila ka protestuar me pankarta në duar.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka publikuar pamje nga futja e aktivistit, Nol Nushi me një pankartë në duar në të cilën shkruhej 'Televizioni i Kurtit'.
Duket se kjo ishte mënyra e PSD-së për të protestuar pas emërimit të Rilind Gërvalles në krye të RTK, pasi që ky i fundit për disa vite ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas kësaj moderatorja ka kërkuar disa herë falje publike.
Kujtojmë se me tetë vota për të marra nga bordi i RTK-së, Rilind Gërvalla tashmë do të jetë në krye të televizionit në këtë institucion publik.
Aktivisti i LVV-së, përkundër thirrjeve që të mos votohen persona me prapavijë politike, ia ka dalë që ta fitojë këtë pozitë.
