Protestat në Peru, mbyllet lokacioni i njohur turistik Machu Picchu
Për shkak të protestave të vazhdueshme kundër presidentes së vendit, Peruja ka mbyllur vendin e famshëm turistik, Machu Picchu për një kohë të pacaktuar.
Qeveria ka njoftuar se këtë vendim e ka marrë në mbrojtje të qytetarëve të saj dhe turistëve.
Mendohet se qindra persona, kryesisht të huaj kanë mbetur të bllokuar në zonë duke mos mundur të largohen për shkak të ndërprerjes së transportit.
Protestat që nisën pas rrëzimit të liderit të mëparshëm, deri më tani kanë lënë dhjetëra të vrarë, ndërsa protestuesit kërkojnë zgjedhje të reja dhe largimin e presidentes së re Dina Boluarte, e cila deri më tani ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.
Ndërsa është bërë e ditur se në përleshjet e fundit janë plagosur 58 peruanë, dhuna në vend është dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, duke e quajtur përdorim "disproporcional" i forcës nga policia.
Veç largimit të Boluartes dhe zgjedhjeve të reja, demonstruesit kanë kërkuar lirimin nga paraburgimi të paraardhësit të saj, Pedro Castillo, i cili u arrestua pas një përpjekjeje për të shpërndarë Kongresin.
Ai është nën hetime për rebelim dhe komplot, akuza të cilat i ka mohuar duke këmbëngulur se është ende presidenti legjitim i vendit.

