U përpoq të shpërbënte Kongresin, arrestohet presidenti i Perusë
Pas një përpjekjeje për të shpërbërë Kongresin dhe për të vendosur një qeveri emergjente, është bërë e ditur se Policia e Perusë ka arrestuar presidentin e vendit Pedro Castillo.
Më herët gjatë ditës, për shkak të një thirrje të Castillo-s për zgjedhje parlamentare për të punuar për një kushtetutë të re, pati një sërë dorëheqjesh të kabinetit, reagime të zjarrta nga zyrtarët e lartë dhe dënime nga fqinjët rajonalë. E më pas, sipas CNN, një shumicë prej 101 anëtarësh në Kongresin prej 130 personash të Perusë kanë votuar për të fajësuar e rrëzuar Castillo-n.
CNN shkruan se, pas votimit kundër tij, si presidente e re e Perusë pritet të betohet nënkryetarja Dina Boluarte, megjithatë për të qenë në gjendje të qeverisë asaj do i duhet një mbështetje ndërpartiake.
Ndërkohë, pak para votimit ndaj Castillo-s, vetë Boluarte ka kritikuar planin e shpërbërjes.
“Unë hedh poshtë vendimin e Pedro Castillo-s për të kryer prishjen e rendit kushtetues me shpërbërjen e Kongresit”, ka shkruar ajo në Twitter, duke shtuar se plani, "është një grusht shteti që përkeqëson krizën politike dhe institucionale që shoqëria peruane do të duhet të kapërcejë me respektim të rreptë të ligjit."
Nga përpjekja e presidentit për të shpërndarë Kongresin, kanë dhënë dorëheqje të paktën shtatë ministra të kabinetit. Ndërsa, ky veprim është dënuar edhe nga zyrtarë ndërkombëtarë, me Shtetet e Bashkuara që i kërkuan liderit të "përmbys" masën dhe "të lejojë institucionet demokratike të Perusë të funksionojnë sipas Kushtetutës”.
Që nga inaugurimi, qeveria e liderit të majtë ishte e zhytur në kaos, me dhjetëra ministra të emëruar, zëvendësuar, shkarkuar ose që kishin dhënë dorëheqjen brenda pak më shumë se një viti.
Castillo, një ish-mësues shkolle dhe drejtues sindikatash, ka kritikuar opozitën se po përpiqen ta rrëzojnë atë nga pushteti që nga dita e parë që kishte marrë detyrën. Ai po ashtu ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme të Perusë, Patricia Benavides, për orkestrimin e asaj që ai e ka cilësuar një formë të re "grusht shteti" kundër tij përmes hetimeve të zyrës së saj.

