Prokuroria e Gjakovës: Kemi nisur hetim për falsifikim votash në Malishevë, ndaluam 15 kryesues të qendrave
Prokuroria Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në Komunën e Malishevës.
Sipas komunikatës së përbashkët, janë intervistuar gjithsej 58 persona, përfshirë 15 kryesues dhe 43 komisionerë.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 15 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit. Ndërkohë, 43 komisionerët do të hetohen në procedurë të rregullt.
Prokuroria thekson se mbetet “e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor” dhe në trajtimin prioritar të rasteve që cenojnë votën e lirë të qytetarëve.