'Procesi' i Berlinit: Përshkallëzohet tallja e Edi Ramës me Albin Kurtin - NACIONALE

'Procesi' i Berlinit: Përshkallëzohet tallja e Edi Ramës me Albin Kurtin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

A e mbani mend fotografinë e mësipërme të Edi Ramës me Albin Kurtin? Kryeministri i Shqipërisë ia mbyll sytë kryeministrit të Kosovës si të ishte ndonjë vartës në kabinetin e tij. Eh, një tallje e tillë ndodhi përsëri.

Albin Kurti pasi iu mbyllën sytë ishte skuqur aq shumë sa e bënte edhe më të turpshëm gjithë atë situatë. E edhe më të turpshme e bënte kur dihej se Kurti vetë shfaqej mjaft bullizues në Kosovë. Mjafton ta kujtojmë imitimin me të folurën e kryesindikalistit Rahman Jasharaj.

Por, edhe më zi se në atë fotografi ndodhi sot.

Albin Kurti dje për ta rikuperuar disi imazhin e dëmtuar pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të 14 qershorit tha se nuk do ta takonte Ramën nëse nuk do të kishte mbledhje të përbashkët.

Edi Rama, si gjithnjë, gjeti një ‘hile’ të re.

Kryeministri i Shqipërisë sot në mëngjes u shpreh se ka dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës të “13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë”. Dhe këtë po e bënte për t’ia hequr merakun Kurtit.

“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite.”

Përveç që përdhosi ‘merakun’ e Kurtit, në këtë fjali shohim se Rama i referohet Kurtit në dy mënyra të ndryshme: herën e parë si “KM Kurti” (pra, Kryeministër Kurti) dhe në tjetrën si “Albini”.

Deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka ende një përgjigje zyrtare nga Kurti për këtë takim.

Çka është ky takim?

Takimi në fjalë është pjesë e turit për Procesin e Berlinit, një samit i të cilit mbahet në tetor. Edhe kryeministri Kurti hodhi dyshime se pse po mbahej ky tur tash, në fillim të muajit korrik.

"...Procesi i Berlinit samitin e radhës në Tiranë e ka në mes të muajit tetor, tash jemi në fillim të korrikut, nuk është as mes muajit gusht, as shtator, por tetor, shumë mirë që bëhen këto përgatitje kaq herët...” tha dje Kurti.

Nëse e mbani mend, Kurti kishte qenë një mbështetës i madh i Procesit të Berlinit dhe kundërshtar po aq i madh i Ballkanit të Hapur. Rama – që e mbështeste nismën e Ballkanit të Hapur – u bë papritmas një prej mbështetësve kryesorë të procesit që u pa si rival.

“Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi.”tha së fundi Rama.

Kurti ende nuk ka pasur fjalë për këtë mbështetje të Ramës për Procesin e Berlinit.

Viti i kaluar

Në vitin e kaluar, kryeministri Edi Rama u takua në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Prishtinë me Kurtin.

Në atë takim ai kishte lëshuar një mori talljesh ndaj Kurtit apo ministrave të tij. Kjo kishte lënë shije të keqe edhe te një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Ramës në Shqipëri, Fatos Lubonjës.

“Unë e pashë një Ramë që e dominonte komplet kryeministrin tuaj, i cili nuk e di se për çfarë arsye ishte krejtësisht i mefshtë aty dhe nuk guxoi të thotë asnjë gjë,”kishte thënë ai.

Kujtojmë që sot Rama megjithatë do të takojë dy liderë tjerë institucionalë si kryekuvendarin Glauk Konjufca dhe presidenten Vjosa Osmani. Një gjë e tillë e vë në pozitë edhe më të pakëndshme kryeministrin Kurti nëse refuzon përfundimisht takimin.

Lajme të ngjashme