'Funerali i Ballkanit të Hapur': Vuçiqi në 'mohim', Rama tha që iniciativa liroi "tre policët e Kosovës"
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duket se ka hequr dorë përfundimisht nga iniciativa “Ballkani i Hapur” që ishte kundërshtuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Por, çka tha në atë që po e quajmë si ‘funerali’ i kësaj iniciative?
Tashmë, reagimet pas deklaratave të kryeministrit Rama janë të shumta. Nga Vetëvendosje po tallen me të. Vuçiqi në tjetrën anë u shpreh se nuk ka dëgjuar ende për fjalët e tij. Opozita si zakonisht. E kështu me radhë.
Megjithatë, duhet kuptuar saktë se çka tha kryeministri i Shqipërisë?
Ai tregoi se Shqipëria ishte duke bërë përgatitje që të priste për herë të parë samitin e Procesit të Berlinit në Ballkan.
Sipas tij, i gjithë qëllimi i Ballkanit të Hapur ishte që BE-ja ta merrte më seriozisht Procesin e Berlinit.
“Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët...” - u shpreh z. Edi Rama.
Ai më tutje në mënyrë eksplicite u shpreh që “Procesi i Berlinit është e ardhmja jonë...”
Rama më tutje i dha merita Ballkanit të Hapur për lirimin e tre policëve kosovarë të kidnapuar në veri të vendit.
“...unë jam shumë krenar për atë iniciativë. Pa atë iniciativë, do të ishte shumë e vështirë të liroheshin tre policët që u liruan para ca ditësh...” – tha z. Rama.
Pra, të paktën dikush ia pa hairin. Ai u shpreh se marrëveshjet që ishin arritur në kuadër të Ballkanit të Hapur ishin “komplementare” me Procesin e Berlinit.
Por, Rama shprehej ndryshe dikur. Ai linte të kuptohej se Ballkani i Hapur nuk do të vdiste asnjëherë.
“Dhe në këtë rast le ta themi, Ballkani i Hapur është burrë. Evropa e Bashkuar është nusja. Sepse Ballkani nuk vdes. Po ky i hapuri aq më pak vdes.” – ishte shprehur kryeministri Edi Rama në nëntorin e vitit 2022.
Reagimet
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka shkruar këto fjalë:
“Kaq për largpamësinë e tij dhe këshillave të tij për Kosovën.” – tha ajo.
E Vuçiq ishte - duket se - ende në mohim.
“Nuk do të zhytemi me tërë kokën, jemi pjesë e Procesit të Berlinit dhe kjo është në rregull. Nuk e besoj ta ketë thënë Edi Rama këtë. Shpresoj ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani... është gjithmonë mirë mirë të marrim parasysh se secila ide e jona, e krijuar në këtë rajon, është më e mirë se ato që vijnë nga jashtë.” - tha ai sot në Tv Prva.