Kurrizi i kujt më drejt? Abdixhiku ‘i tregoi vendin’ Begajt, Kurti i duronte talljet e Edi Ramës - NACIONALE

Kurrizi i kujt më drejt? Abdixhiku ‘i tregoi vendin’ Begajt, Kurti i duronte talljet e Edi Ramës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në tekstin e mëposhtëm keni dy sjellje të ndryshme, krejt të ndryshme, të liderëve kosovarë ndaj liderëve të Shqipërisë. Njëra nga Lumir Abdixhiku, e tjetra nga Albin Kurti. Cilat ishin këto sjellje?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka refuzuar në takim hiç më pak se Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, në një akt që ka marrë interpretime të ndryshme (për shembull, Skënder Hyseni e quajti skandal).

Abdixhiku refuzoi ta takonte Begajn, pasi ky i fundit kishte kërkuar që takimi të mos ndodhte në selinë qendrore të partisë së tij por në një vend tjetër (preferueshëm hotel, por bënte edhe në Kuvendin e Kosovës).

Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj, dy liderët tjerë opozitarë (PDK dhe AAK), megjithatë e takuan presidentin e Shqipërisë duke mos ia bërë të madhe preferencat e ‘teket’.

Por, kjo qasje që mund të konsiderohet ‘paternaliste’ nga presidenti Begaj - përkundër që sipas burimeve të Nacionales ka habitur edhe Ambasadën e Shqipërisë - nuk është e para nga liderët e Shqipërisë ndaj Kosovës.

Më së voni, qasje paternaliste e arrogante kishte shfaqur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndaj kryeministrit tonë, Albin Kurtit. Dhe ky i fundit, ishte treguar “i mefshtë”.

20 qershori

Më 20 qershor do të ndodhte mbledhja e përbashkët e dy qeverive me shumicë shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe kësaj të Kosovës.

Paraprakisht, një ditë më herët, Edi Rama kishte mbledhur në Gërmi në një darkë disa prej gazetarëve më kritikë të Qeverisë Kurti. Po ashtu, gjatë asaj dite ai kishte takuar edhe prindërit e ish-presidentit dhe kundërshtarit të madh politik të Kurtit, Hashim Thaçit.

Kurti nuk pati asnjë fjalë të vetme për sjelljet e fjalët destruktive të Ramës në Kosovë. Për më keq, ai toleroi kryeministrin shqiptar që të tregohej jo vetëm ‘paternalist’ në qasje, por edhe të shprehej në mënyrë tallëse e arrogante.

I pyetur për qëndrimin kundërshtues të Kurtit ndaj Ballkanit të Hapur dhe mundësisë që Kosova të merrte pjesë si vëzhguese - mundësi që po ashtu e refuzonte - Edi Rama kishte bërë talljen vijuese:

“Po të jetë për vëzhgues, ky vëzhgon nga Prishtina Kinën, e jo më Ohrin.”

Asnjë përgjigje nga Kurti.

Rama bëri një mori talljesh edhe ndaj ministrave të Kurtit në atë mbledhje, por edhe ndaj vetë Kurtit në vazhdimësi. Fatkeqësisht, Kurti vazhdoi të mos kishte përgjigje për talljet e bëra.

Kjo gjë i kishte rënë në sy edhe kritikut të madh të qeverisjeve të Ramës, z. Fatos Lubonja, i cili ishte shprehur në mënyrë mjaft të ashpër për paraqitjen e kryeministrit.

“Unë pashë një Ramë që e dominonte komplet kryeministrin tuaj, i cili nuk e di se për çfarë arsye ishte krejtësisht i mefshtë aty dhe nuk guxoi të thotë asnjë gjë”, ishte shprehur z. Lubonja.

Kurti ishte kritikuar në lidhje me qasjen e tij të butë ndaj Edi Ramës edhe nga figura të ndryshme politike në Kosovë.

Megjithëse raportet e mira të Kosovës me Shqipërinë nuk mund të prishen prej liderëve këndej dhe andej kufirit, qasja e Kurtit përbën kontrast ndaj asaj të Abdixhikut gjatë këtyre dy ditëve. Se cila është më e dinjitetshme – mund ta thoni edhe ju në komente – por do ta tregojë gjithsesi edhe koha.

Lajme të ngjashme