“Problem kombëtar”: Alarmohet për ikjen e punëtorëve, 67 për qind e bizneseve të shqetësuara për këtë fenomen
Ikja e punëtorëve të kualifikuar, por edhe të atyre të pakualifikuar, është njëra nga temat për të cilën flitet shpesh në Kosovë. Si gjthmonë, bisedat rreth kësaj teme kanë tone alarmi e shqetësimi për largimin e mundshëm të shumë punëtorëve nga Kosova. Në lidhje me këtë temë, bizneset janë deklaruar të shqetësuara për potencialin emigrues të punëtorëve pas liberalizimit të vizave.
Në fakt, Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka quajtur “problem kombëtar” ikjen e trurit nga Kosova. Në një shkrim të publikuar në faqen e saj në "Facebook", AKB-ja ka thënë se largimi ka qenë i pranishëm vazhdimisht, përfshirë periudhën para liberalizimit të vizave.
Duke i cituar të dhënat e saj, sipas AKB-së, në periudhën 2020 - 2023 nga Kosova janë larguar rreth 10 mijë profesionistë.
“Liberalizim ka ndodhur dhe sjellë shumë avantazhe për qarkullimin e lirë të qytetarëve në BE, por ikja e trurit të Kosovës është problem kombëtar e kjo ka ndodhë dje,sot dhe nesër do të vazhdojë. Ik profesori,inxhinieri,mjeku,infermieri,ik polici e ushtari ik puntori e jo puntori. Sipas statistikave të AKB-ës në periudhën 2020-2023 jane ikur rreth 10 mij profesionalist” – shkruhet aty.
Në shkrimin e AKB-së, që udhëhiqet nga Agim Shahini, numërohen edhe arsyet që kjo aleancë beson se janë shkaktarë për emigrimin e profesionistëve nga Kosova.
“Arsyjet e largimit të trurit kosovarë janë të shumtë sepse nuk trajtohen si profesionalist,standardi jetsore, nuk merren parasysh mendimet profesionale,nuk kanë sigurim shëndetësor, nuk kan hapësir intelektuale të ngulfatur nga presioni politik,nuk trajtohen as paguhen si truri i një institucioni por si puntorë e shumë i injoruar”– përmbyllet shkrimi i AKB-së.
Përveç ikjeve reale, ka edhe frikë të konsiderueshme te bizneset kosovare për potencialin e vërtetë të ikjes së trurit nga Kosova. Në një intervistë për Ekonomia Online, Lulzim Rafuna ka dhënë një shifër absolutisht të frikshme në lidhje me shqetësimet e bizneseve për ikjen e punëtorëve.
“67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtoreve pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. 27 për qind kanë deklaruar se është e shqetësuese, 4 për qind kanë deklaruar si pak e shqetësuese dhe 2 për qind kanë deklaruar se nuk është aspak e shqetësuese”– ka deklaruar ai, transmeton Nacionale.
Tutje, Rafuna i ka treguar edhe sfidat me të cilat përballen bizneset kosovare.
“Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë edhe për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit. Kemi bërë një analizë me 500 biznese të sektorëve të ndryshme dhe kemi nxjerrë se cilat kanë qenë sfidat dhe barrierat më vitin 2023. Del që gjatë vitit ka pasur një mungesë të kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave, 53 për qind kanë deklaruar që ka mungesë të porosive. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kanë 28 për qind”– deklaroi ai.
Sjellim ndër mend se gjatë vitit 2022, sipas statistikave të ASK-së, nga Kosova janë larguar 42 mijë persona.