Prizreni, ‘laboratori’ i manipulimeve: Kandidatëve iu zbritën 29 mijë vota vetëm në këtë komunë – KQZ-ja vendos rinumërim total - NACIONALE

Prizreni, ‘laboratori’ i manipulimeve: Kandidatëve iu zbritën 29 mijë vota vetëm në këtë komunë – KQZ-ja vendos rinumërim total

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ajo që nisi si dyshime të vogla për mospërputhjeve të votave për kandidatë dhe pasoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të pjesshëm, u kristalizua në një skemë masive manipulimi. Në këtë kontekst, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendimin përfundimtar që hap rrugën për rinumërim total të të gjitha votave në 28 komuna të Kosovës. Pas konfirmimit të manipulimeve në përmasa industriale, KQZ ka vendosur që të rinumërohen të gjitha votat në 28 komuna të Kosovës.

Përmasat e manipulimit janë tronditëse. Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara sot, totali i votave të manipuluara (të shtuara dhe të hequra) kalon shifrën 50 mijë.

Prizreni "epiqendra" e manipulimit

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka shpalosur shifrat që çuan në këtë vendim. Vetëm nga raporti i deritanishëm i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, është zbuluar se brenda partive politike është bërë një tjetërsim masiv i vullnetit të qytetarëve.

  • 36,007 vota u janë hequr (zbritur) kandidatëve që i kishin fituar ato.
  • 20,978 vota u janë shtuar kandidatëve që nuk i kishin fituar në kuti.

Radoniqi veçoi Prizrenin si rastin më ekstrem të deformimit, duke detyruar KQZ-në të marrë vendim edhe për ndërprerjen e mandatit të përfaqësuesve të partive politike në këtë komunë.

“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve,” deklaroi Radoniqi.

Të gjitha këto gjetje nuk do të mbeten vetëm statistika. Kreu i KQZ-së konfirmoi se materialet po dërgohen në organet e drejtësisë. “Gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor,” tha Radoniqi.

Zyra e Kryeprokurorit tashmë ka urdhëruar prokuroritë themelore që të nisin grumbullimin e provave dhe të hetojnë çdo komisioner apo person tjetër të përfshirë në falsifikimin e votave.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka lëshuar një udhëzim për të gjitha prokuroritë themelore në vend që të nisin menjëherë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave.

"Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit në vazhdimësi ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Po ashtu, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme." – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.

Vendimi i sotëm i KQZ-së vjen pas shqetësimeve të ngritura ditët e fundit nga liderët e partive ish-opozitë, të cilët kërkuan rinumërim total. Në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e të gjitha partive politike votuan pro rinumërimit.

Kreu i PDK-së Bedri Hamza e kishte cilësuar rinumërimin total si hap të domosdoshëm dhe të drejtë.

“Janë tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave. Në këto rrethana të krijuara, si Kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë.” – ka shkruar Hamza në një reagim.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj gjithashtu ngriti shqetësimin për "skemë manipulimi të përmasave shqetësuese", duke kërkuar rinumërim "të tërësishëm".

“Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit. Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve. E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh. Apeloj tek të gjithë mekanizmat që me vendimet e veprimet e tyre ta mbrojnë votën e qytetarit dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit. Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme!” – shkroi Haradinaj dje.

Në lidhje me manipulimet që dolën në dritë pas rinumërimit ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i cili e ka cilësuar tjetërsimin e votave si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj gjeneratës së re dhe reformës brenda partive.

“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Mbi të gjitha, goditet reforma! – shkroi ai.

Abdixhiku paralajmërojë edhe pasoja: “Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë.” – shtoi ai ndër të tjera.

Lajme të ngjashme