Presidentja Osmani akuzohet për shkelje të Kushtetutës dhe që s'është unifikuese
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po kritikohet për shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Shkeljet e saj thuhet se janë bërë në disa raste të ndara brenda pak javëve. Sipas politologëve e analistëve, presidentja Osmani nuk po i respekton ligjet e Kosovës.
Profesori Nexhemedin Spahiu në vazhdimësi shkruan për shkeljet ligjore që i bën presidentja Osmani. Por jo vetëm ai.
Spahiu në një shkrim ka akuzuar presidenten Osmani për shkeljen e Ligjit për simbole, pasi që ajo nuk ka respektuar flamurin e Kosovës.
“Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu sërish shkelë kushtetutën. Foto e më poshtme nuk është me ndonjë zyrtar të shtetit turk po me kryetarin e një komune të Kosovës (Mamushës). Flamuri i Turqisë, aleatit strategjik të Kosovës, mund të përdoret lirshëm në Kosovë, por në zyrën e kryetarit të komunës së Mamushës (apo çdo komune tjetër të Kosovës) në bazë të ligjit për simbolet ai mund të paraqitet vetëm kur kryetari I komunës takohet me ndonjë zyrtar të Republikës së Turqisë. Kjo foto tregon shkeljen e ligjit nga ana e Kryetarit të Komunës së Mamushës dhe shkeljen e ligjit nga ana e Presidentës së Kosovës. Por për dallim nga kryetari i komunës kur Presidentja shkel ligjin është njëkohësisht shkelje e Kushtetutës. Dhe këtë Presidentja po bënë për herë të dytë. Herën e parë e bëri në takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit.”, ka shkruar ai.
Sipas Spahiut, Osmani e ka shkelur Kushtetutën edhe gjatë vizitës së saj në Komunë të Gjilanit. Edhe atëherë, Osmani, sipas Spahiut, kishte bërë “shkelje të rëndë të ligjit për simbolet”. Madje ai kishte thënë se kjo është e pafalshme, pasi presidentja me profesion është juriste.

“Shkelje e rëndë e ligjit për simbolet nga ana e presidentes Osmani . Kur Presidentja shkel ligjin është shkelje e Kushtetutës. Për shkelje të një ligji shumë më të parëndësishëm u shkarkua Presidenti Sejdiu, vetëm se tani Parlamentit I mungojnë Naim Rrustemi e Driton Tali . Presidentja Osmani në takim zyrtar me kryetarin e Gjilanit me flamur të Shqipërisë.!!!! Kjo është skandaloze. Thua e ka takuar kryetarin e Gjirokastrës e jo të një komune të shtetit që e drejton ajo. Kryetarit të Gjilanit edhe mund t'i falet si djalë I ri 30 vjeçar I cili mund të mendojë se kësisoj tregohet më patriot se Albin Kurti, por Presidentja Osmani është juriste dhe shkelja e ligjit nga ana e saj është e pafalshme.”, kishte shkruar ai.
Përveç Spahiut edhe opinionisti, Halil Matoshi, e ka kritikuar presidenten. Ai ka thënë se "gardianja e Kushtetutës” po tallet me ligjet e Kosovës dhe po e shkel atë me të dyja këmbët.
Matoshi ka thënë se kjo gjë është skandal i presidentes Osmani.
“A jeni more normalë? Gardianja e Kushtetutës, Vjosa Osmani - me dyja këmbët mbi të!Me e shpalosë flamurin e nji shteti të huej zyrtarisht, në nji komunë kosovare e me nji Krasniq dhe në prani të Presidentes së Kosovës, asht shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për simbolet. Shkelje e dyanshme… Ky asht skandal protokolar dhe e qet keq Presidenten në raport me shtetin që e përfaqëson! Mosrespektuese të Ligjit dhe jobesnike ndaj Republikës!”, ka shkruar ndër të tjera ai.
UNIFIKUESE
Sipas Ligjit për Presidentin, neni 1, “presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës.”.
Mirëpo kjo gjë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, po duket se nuk po respekohet nga ana e presidentes Osmani.
Takimi i presidentes Osmani në njërën prej kafeneve të kryeqytetit me dy anëtarët e Listës "Guxo", që janë edhe ministra të Qeverisë Kurti II: Donika Gërvallën dhe Faton Pecin, ka nxitur reagime se presidentja nuk po është unifikuese.

E ky takim, sipas Eugen Cakollit nga KDI-ja, ka të drejtë të ndodhë, por jo të shfrytëzohet për qëllime të sulmeve ndaj partive të tjera politike.
Cakolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka të drejtë të takohet më aktorët e partive politike, por jo edhe kur këto takime shfrytëzohen për qëllime të sulmeve ndaj oponentëve apo partive të tjera politike.
“Edhe pse parimisht Presidentja ka të drejtë të takohet me akterë të partive politike, janë problematike rastet kur këto takime shfrytëzohen – në këtë rast, nga iniciativa e themeluar nga vet Vjosa Osmani para se të bëhej Presidente – për qëllime të sulmeve ndaj oponentëve apo partive tjera politike”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka shtuar se nëse Presidentja nuk distancohet nga deklarime të tilla nxitëse e përçarëse politike, atëherë edhe vetë ajo bëhet pjesë e tyre.
“Nëse Presidentja nuk distancohet nga deklarime të tilla nxitëse e përçarëse politike, atëherë edhe vet ajo bëhet pjesë e tyre, duke cenuar rolin e saj kushtetues si unifikuese”, ka shkruar Cakolli.
Edhe analisti Afrim Haliti për këtë foto ka nënkuptuar që presidentja nuk po e përfaqëson unitetin e popullit.
“Presidentja Osmani duke përfaqësuar unitetin e popullit jo, por të listës fiktive Guxo pas humbjes se një deputeteje!”, ka shkruar ai.
Përveç këtyre rasteve, Osmani është akuzuar si "notere" e kryeministrit Kurti dhe që nuk është unifikuese në raport me partitë tjera politike.
Kujtojmë se me 71 vota për, kuvendi më 4 prill 2021 e zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Osmani fitoi në rundin e tretë të votimit.



