Presidenti Gjukanoviq në Kosovë: Kush është politikani që e nisi karrierën politike para 43 vitesh? - NACIONALE

Presidenti Gjukanoviq në Kosovë: Kush është politikani që e nisi karrierën politike para 43 vitesh?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Milo Gjukanoviq po qëndron sot për vizitë zyrtare në Kosovë. Presidenti i Malit të Zi ështe një nga liderët më të njohur rajonalë, me prezencën aktuale në politikë që lidh kujtimet e brezave të tërë prej viteve ’90 e deri në kohët e sotme.

Milo Gjukanoviq u bë president i Malit të Zi në vitin 2018. Sidoqoftë, ai ushtroi këtë rol edhe në kohën më dramatike për Kosovën, mes viteve 1998 dhe 2003. Ai ka qenë edhe kryeministër i këtij vendi në katër mandate, prej 1991 e deri më 1998, prej 2003 e deri më 2006, prej 2008 e deri më 2010 dhe prej 2012 e deri më 2016.

Politikani i lindur në Nikshiq më 15 shkurt të vitit 1962 mbahet mend si një figurë e re politike që jepte shpresë për ndryshime në politikën e rajonit. Por, tashmë ai është 60 vjeçar dhe prania e tij në politikë po konsiderohet e konsumuar.

Gjukanoviqi është pjesë e politikës prej vitit 1979, kur si nxënës i shkollës së mesme i ishte bashkuar Lidhjes Komuniste Jugosllave (SKJ).

1 9 9 8

Ashtu si Kosova, edhe Milo Gjukanoviq i kishte shkaktuar kokëdhimbje të mëdha regjimit të ish-Jugosllavisë. Menjëherë pasi ishte inauguruar president në vitin 1998, ai i kishte thënë emisarit të administratës amerikane Clinton se vizioni i tij ishte një Mal i Zi i pavarur dhe sovran.

Pasi NATO kishte nisur të bombardonte Jugosllavinë më 24 mars 1999 për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë, diplomati francez Jean-David Levitte kishte pretenduar se Gjukanoviqi i kishte kërkuar Bill Clintonit bombardime që të hiqej Millosheviqi nga pushteti.

Por, presidenti francez Jacques Chirac e kishte thirrur personalisht Gjukanoviqin për ta pyetur nëse përnjëmend donte bombardime, gjë të cilën ai e kishte mohuar duke thënë se bombardimet në Mal të Zi po ia dobësonin qeverinë. Kjo kishte bërë që të kufizoheshin sulmet ajrore ndaj forcave jugosllave në Mal të Zi.

2 0 0 8

Tri ditë pasi Kosova ishte shpallur vend i pavarur dhe sovran, më 20 shkurt të 2008-s, presidenti i Malit të Zi e kishte nominuar Gjukanoviqin për kryeministër, pasi mandatari i mëhershëm ishte dorëhequr për shkak të një sëmundjeje që kishte pasur.

Gjatë kësaj kohe, koha e Gjukanoviqit në detyrë ishte shenjuar me avancimin e procesve integruese për pranim të Malit të Zi në Nato dhe BE, duke tejkaluar fqinjtë e saj.

Mali i Zi do ta njihte Pavarësinë e Republikës së Kosovës më 9 tetor 2008.

Sidoqoftë, Mali i Zi kishte qenë shteti në qendër të trazirave politike në lidhje me Demarkacionin. Mali i Zi po priste që të bëhej shtet anëtar i NATO-s, por anëtarësimi nuk mund të bëhej duke pasur mosmarrëveshje kufitare me fqinjtë.

Për fat të mirë, marrëveshja do të kalonte në Kuvendin e Kosovës, dhe Mali i Zi më pas do të bëhej pjesë e aleancës që e kishte shpëtuar Kosovën më 1999, NATO-s.

Ne në Mal të Zi nuk presim mirënjohje për atë që bëmë më 1999, kur i hapëm kufijtë për fqinjtë tanë... Malit të Zi nuk i vyen asnjë metër i tokës së Kosovës”, kishte thënë z. Gjukanoviq në atë kohë.

A K U Z A T PËR K O RR U P S I O N

Pavarësisht që Mali i Zi ka ecur shumë përpara me integrimin evropian, Gjukanoviqi është përballur vazhdimisht me shumë akuza të ndryshme.

Në vitin 2003, ai ishte akuzuar për krim të organizuar në lidhje me haraçin. Një gjë e tillë çoi edhe në dyshimin se ai ishte përfshirë në kontrabandën e duhanit në Itali. Të gjitha këto akuza ai i ka mohuar.

Përveç kësaj, emri i Djukanoviqit ishte përmendur edhe në skandalin e madh global Panama Papers, ku rrodhën shumë dokumente dhe u publikuan në tetorin e vitit 2021. Aty raportohej se Gjukanoviqi me të birin e tij, Bllazhon, kishin çuar shumë para në llogari të parajsave fiskale prej vitit 2012.

Por, akuzat për korrupsion brenda vendit të tij janë të panumërta. Të gjitha ato, janë quajtur si "të motivuara politikisht" nga kundërshtarët politikë nga z. Gjukanoviq.

Lajme të ngjashme