Presidenti gjerman, Steinmeier: Problemet mes Kosovës e Serbisë të zgjidhen në paqe - NACIONALE

Presidenti gjerman, Steinmeier: Problemet mes Kosovës e Serbisë të zgjidhen në paqe

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier ka dhënë një intervistë të gjatë, pak ditë para fillimit të vizitës zyrtare në Shqipëri e Maqedoninë Veriore, vende këto që së fundi hapën negociatat për integrim në Bashkimin Evropian.

Steinmeier ka vënë theksin te Ballkani Perëndimor, duke shtuar se do të gëzojë vëmendjen e pakushtëzuar të BE-së.

Sipas tij, vendet e Ballkanit nuk do të harrohen asnjëherë dhe këtë duhet ta kenë të qartë.

“Për sa i përket konfliktit, mendoj se kjo shkon me pyetjen e fundit, sepse zgjidhja e konfliktit ndoshta ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është Evropa, sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian në rajon. Nëse nuk do të ishte kjo dëshirë ndaj Evropës, atëherë në thelb Evropa nuk do të kishte fuqi negociuese në konflikte të tilla ndërmjet Serbisë dhe Kosovës", tha fillimisht ai për DW.

Veç kësaj, Steinmeier deklaroi se se Evropa ka fuqi negociuese dhe se arritja e marrëveshjes për targa mes Kosovës e Serbisë është dëshmia më të mirë për këtë.

Por duke qenë se dëshira për të ardhur në Evropë, për t’u bërë dikur anëtarë të Bashkimit Evropian, është ende e theksuar në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa e ka këtë fuqi negociuese, këtë mundësi negociuese dhe arriti ta shmangë këtë konflikt, në pamje të parë të vogël, atëherë edhe konfliktet më të mëdha në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohen, dhe në këtë kuptim, të zgjidhen në mënyrë paqësore”, vazhdoi ai.

Ndërkaq, rreth dialogut Kosovë - Serbi, pohoi se palët duhet që secilën mosmarrëveshje ta zgjidhin me dialog.

Gjatë kësaj interviste, Steinmeier, ka folur edhe për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, ku ditëve të vijmë pritet që t’i vizitojë këto dy shtete.

“Sot ne mund të argumentojmë edhe ndryshe karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sepse, për shembull, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Dhe, të mos harrojmë se, përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime”, ka thënë ai.

Targa

Kujtojmë se marrëveshja për targat u arritë të mërkurën që lamë pas, pra me 23 nëntor.

Kryenegociatorët, Bislimi e Petkoviq gjetën gjuhën e përbashkët, ndërsa lajmin e dha kryediplomati evropian, Josep Borrell.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell.

Sipas së njëjtës marrëveshje, u mësua se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t'i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", kishte shkruar Borrell në Twitter.

Lajme të ngjashme