Presidenca çeke për Nacionalen: Sot do t'i njoftojmë ambasadorët për aplikimin e Kosovës në BE - NACIONALE

Presidenca çeke për Nacionalen: Sot do t'i njoftojmë ambasadorët për aplikimin e Kosovës në BE

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenca e çeke e Këshilit të Bashkimit Evropian ka bërë të ditur për Nacionalen se sot gjatë ditës do të ketë një takim të Ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku ata do të njoftohen për aplikimin e Kosovës në BE. kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 15 dhjetor dorëzoi në Pragë të Çekisë kërkesën zyrtare të aplikimit të Kosovës.

Në përgjigjen e tyre thuhet se Presidenca çeke në BE pritet që sot në takimin e ambasadorëve të BE-së apo siç njihet ndryshe takimi i “COREPER II”, do t’i njoftojë ata për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Siç e dini, ministri për Çështje të BE-së, Mikulas Bek, e ka pranuar të enjten aplikimin në emër të Presidencës së Këshillit të BE-së. Ne planifikojmë që t’i informojmë të gjitha shtetet anëtare sot për të në takimin e COREPER II [Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian] të Ambasadorëve.”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë Nacionales.

Ndërkohë javën e kaluar, Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në ceremoninë e nënshkrimit, krerët e shtetit thanë se aplikimi i Kosovës në BE është moment historik.

Sot është një ditë historike. Është moment historik.”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, një ditë më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,udhëtoi për në Çeki ku dorëzoi edhe zyrtarisht aplikimin e Kosovës për në BE.

Kurti nga atje ka thënë se “kjo është një ditë historike për popullin e Kosovës dhe një ditë e madhe për demokraci në Evropë.

Ajo flet për aspiratat tona për t'iu bashkuar BE-së - me të cilën ndajmë vlera dhe ideale të përbashkëta - si një proces historik nga një projekt politik paqeje dhe prosperiteti.”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Kurti po ashtu ka thënë se “ne nuk duam asnjë derë të pasme, as rrugë të shkurtër. Ne duam ta ndërtojmë BE-në në vendin tonë me njerëzit tanë - një BE e rritur në shtëpi, por jo e krijuar vetë: ne kemi nevojë për ndihmën e BE-së në Kosovë, një vend që përpiqet, që pastaj, të kontribuojë në BE”.

Reagime pas aplikimit

Menjëherë pas nënshkrimit të aplikimit në Kosovë pati shumë reagime nga partitë politike opozitare e njohës të fushës.

Nga PDK-ja aplikimin e panë si një “akt arrogant” dhe i papërgjegjshëm”.

Vendimi për të aplikuar sot për të marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE është një akt arrogant e i papërgjegjshëm që i bën karshillik partnerëve të Bashkimit Evropian të cilët pafund herë e kanë ripërsëritur se arritja e një marrëveshje është rruga e vetme që zhbllokon integrimin Euro-Atlantik të Kosovës.”, shkroi në Facebook anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari.

Ndërsa zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, e kishte parë si “cak shumë ambicioz” dhe se para “formaliteteve pa efekt, kryeministri dhe kabineti i tij duhet të merren me gjëra të prekshme, që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve tanë.”.

Edhe analistët e politikës reaguan ndaj aplikimit, disa nga ta e mirëpritën disa të tjerë kritikuan këtë hap.

Në anën tjetër, ish-zëvendësministri i Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu ka shpjeguar procesin e integrimit të vendit në BE, duke thënë se ndahet në dy pjesë: 1. Asocimi me BE-në; 2. Anëtarësimi në BE.

Asocimi përfshin pjesën e negocimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Ndërsa, anëtarësimi përfshin marrjen e statusit të vendit kandidat, negociatat e anëtarësimit deri te anëtarësimi formal në BE. Procesi i asocimit mes Kosovës dhe BE-së është përmbyllur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Procesi i anëtarësimi në BE do të filloj me aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrjen e statusit të kandidatit. Kjo do të shënoj fillimin e një rrugëtimi të gjatë për tu bërë vend Anëtarë i BE-së.”, kishte shpejguar ai.

Kujtojmë se aplikimi në BE ka qenë një ndër premtimet kryesore të Vetëvendosjes dhe Albin Kurti gjatë fushatë zgjedhore.

Përveç aplikimit në BE, Kosova ka aplikuar edhe në Këshillin e Evropës.

Lajme të ngjashme