Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk është serioz: Po bëhet për konsum të brendshëm - NACIONALE

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk është serioz: Po bëhet për konsum të brendshëm

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka paralajmëruar se në mes të dhjetorit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE. Meqenëse Kosova nuk njihet nga 5 vendet anëtare, një veprim i tillë i ekzekutivit nuk po shihet seriozisht nga njohësit e integrimeve evropiane. Ata kanë vlerësuar se Kosova nuk është gati për këtë proces.

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk po merret seriozisht.

Njohësit e integrimeve evropiane kanë bërë me dije se një verim të tillë Qeveria po bën për konsum të brendshëm politik.

Ata kanë deklaruar se nuk është serioze të aplikohet për anëtarësim në BE kur Kosova nuk njihet nga 5 vendet anëtare të BE-së.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për gazetën Nacionale se këtë veprim qeveria po e ndërmerr për interes të saj politike.

“Nuk ka të bëj me momentin e duhur, por duhet kuptuar reformat e politikave publike që i ndërmerr një shtetet para se të aplikojë. Ato janë reformat socioekonomike, administrative, ligjore e kështu me radhë. Ne jemi larg atyre çështjeve. Sidoqoftë, mendoj se është më shumë vendim politik për konsum të brendshëm dhe është një provokim që Kosova po i bënë BE-së, se gjeja ne po duam të jemi afër vlerave te BE-së, por tash varet nga ju se si po reagoni”, ka thënë Arifi.

Duke treguar procedurat e procesit për aplikimit, ai ka thënë se problem do të jetë Këshilli i BE-së.

“Neni 2 dhe neni 49 i traktit te Lisbonës thotë se çdo shtet evropian që promovon vlerat e BE-së mund ta bëj kërkesë për anëtarësim. Mirëpo, duhet kuptuar se mandej Këshilli e informon Parlamentin e BE-së dhe parlamentet kombëtare mbi këtë kërkesë. Pas miratimit në komision, i cili e bënë një verifikim dhe skenim të gjendjes, dhe pasi ta merr votimin në PE me shumicë apsolute, vendimi duhet të merret në Këshillin e BE-së me unanimitet të votave. Kur flasin për unanimitet e gjithë kjo punë bije në baltë, sepse Kosovën nuk e kanë njohur 5 vendet anëtare”, ka thënë si, duke shtuar se edhe po t`i kishim këto njohje do të ishte problem. “Por edhe po ta kishim njohjen e tyre, për shkak të reformave që kemi ngecur në shumë fusha, besoj që do të jemi shumë të zbehtë në këtë çështje. Prandaj, këtë e shoh më shumë si veprim politik se sa që ka të bëj me përmbajtjen e aplikimit të Kosovës për në BE”, ka thënë ai.

Edhe politologu Avdi Smajljaj mendon se një veprim i tillë është i kot.

Ai ka treguar se kjo fazë kalon nëpër secilin shtet anëtar të BE-së.

“Nuk e di sa është serioze të aplikohet për anëtarësim në BE, kur sipas Traktatit, dihet se si shtetet mund të anëtarësohen në BE. Kosova ende nuk njihet nga 5 shtete anëtare e as nga Komisioni Evropian si shtet. Procesi i marrjes së statusit të kandidatit por edhe i fazave tjera për anëtarësim kalon nëpër secilin shtet anëtar të BE”, ka thënë ai.

Sipas tij, më mirë do të ishte të punohen në reforma konkret dhe lobim për njohje të reja.

“Me mirë do të ishte të punohej në gjetjen e mundësive për njohje nga këto shtete. Mendoj se aplikimi ka me shumë efekt politik, për të plotësuar pritjet nga jashtë së Kosova po ece në rrugën drejt BE, dhe brenda për të krijuar përshtypje së po behën reforma”, ka thënë ai.

Kritikat e Kurtit për BE-në

Njohësit e integrimeve evropiane kanë thënë se kritikat e fundit të kryeministrit Albin Kurti për BE-në si ndërmjetësuese e dialogun Kosovë-Serbi dhe për shefin e diplomacisë evropiane, Josef Borrell, nuk pritet të ndikojnë në këtë proces.

Megjithatë, ata kanë thënë se ato mund të kenë ndikime vetëm tek vendet e ndërmjetësueseve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën.

“Shprehjet e kryeministrit në raport me dialogun dhe ndërmjetësuesit e dialogut nuk besoj se mund të ndikojnë shumë në aplikim, por ajo normalisht se ka konotacione sidomos të vendet nga vijnë ndërmjetësuesit e BE-së në dialog. Aty mund të kemi probleme, sepse siç e dimë ato dy vende nuk e kanë njohur ende Kosovën. Kështu që, e gjithë kjo iniciative mund të shkoj huq dhe të mos kem asgjë. Mendoj se kjo është më shumë për retorik politike në vend se të fokusime në reformat që duhet gjithsesi t`i ndërmarr qeveria e Kosovës e të cilat janë ë dhimbshme”, ka thënë Arifi, duke shtuar se nuk beson që kjo qeveria do ta këtë guximin të bëj reformat e nevojshme.

“Nuk besoj se kjo qeveri e ka guximin të bëj reforma të dhimbshme, sepse reformat e dhimbshme nënkuptojnë shkurtime të vendeve të punës, ku administrata duhet të zvogëlohet dhe të digjitalizohet. Pra, ka aq shumë punë sa secila qeveri që i ndërmerr këto reforma e rrezikon pushteti për zgjedhjet e ardhshme. Kështu që, kjo qeveri nuk do ta bëj atë veprim”, është shprehur ai.

Edhe politologu Avdi Smajljaj nuk beson se kritikat e Kurtit ndaj BE-së mund të këtë ndonjë efekt.

“Kritika ndaj BE-së nuk besoj se mund të këtë efekt direkt, përderisa janë pengesat tjera ligjore, procedurale, që nuk e mundësojnë pastaj edhe reagimin e BE-së ose ndonjë shteti anëtare të shtyrë nga kritika që i është bërë për dialogun”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri për Dialog dhe Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, të mërkurën ka paralajmëruar se ka mesi i muajit dhjetor Qeveria do të aplikojë për anëtarësim në BE.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrim Evropian, ai ka thënë se data e saktë do të dakordohet me presidenten çeke.

“Ne kemi një datë, por për aq kohë sa kjo nuk është e konfirmuar në plotni me Presidencën Çeke nuk do ta bëjmë publike, por është te mesi i muajit dhjetor”, ka deklaruar Bislimi.

Qysh në fillim të vitit, kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar aplikimin për anëtarësim në BE dhe NATO.

Ndërsa, më 12 maj të këtij viti, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lajme të ngjashme