"Fore", "Skeç humori", "s'i kapi radari historik": Qysh po komentohet vendimi i krerëve për aplikim në BE? - NACIONALE

"Fore", "Skeç humori", "s'i kapi radari historik": Qysh po komentohet vendimi i krerëve për aplikim në BE?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liderët e vendit, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Glauk Konjufca, sot përmes një ceremonie kanë nënshkruar letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në rrjete sociale, ka pasur dhjetra reagime rreth këtij vendimi. Si po komentohet?

“Moment historik.” – e ka cilësuar presidentja Osmani vendimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Opinioni publik, opozitë e analistë, kanë reaguar ndaj këtij zhvillimi nëpër rrjete sociale.

Si u komentua?

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se anëtarësimi i shpejtë në BE është cak ambicioz, duke shtuar: “madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë joreale”.

“Megjithatë, performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme. Kjo pamje do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme.” – shtoi ajo.

Halimi ka përmendur edhe situatën me ekonominë e shëndetësinë në vend, duke thënë se “kryeministri dhe kabineti i tij”, duhet të merren me gjëra të prekshme, në vend të formaliteteve “pa efekt”.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, ka thënë se ky është një “akt arrogant” dhe i papërgjegjshëm”.

“Vendimi për të aplikuar sot për të marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE është një akt arrogant e i papërgjegjshëm që i bën karshillik partnerëve të Bashkimit Evropian të cilët pafund herë e kanë ripërsëritur se arritja e një marrëveshje është rruga e vetme që zhbllokon integrimin Euro-Atlantik të Kosovës.” – tha ai.

Edhe analistët, reaguan rreth këtij vendimi. Fillimisht, njëri prej tyre që e përkrah partinë në pushtet, Krenar Shala, tha se ky është “gjest i duhur”.

“Sot Kosova aplikoi zyrtarisht për antarësim në BE. Gjest i vogël, me një simbolikë të vogël dhe i duhur. Pa marr parasysh që rruga e jonë është e bllokuar për sa kohë janë 5 vende anëtare që nuk na njohin.” – ka shkruar ai.

Derisa gazetari Valon Syla, pati një “porosi” në Facebook, duke thënë: “Mos i hani foret për aplikim në BE”.

Gazetari Parim Olluri ka ironizuar me këtë veprim të institucioneve, duke pyetur, se a ishte ky skeç i kontraktuar nga ndonjë televizion, me titullin “Aplikimi në BE” apo ky aplikim ndodhi përnjëmend.

Ndaj vendimit reagoi edhe Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ku përmes një shkrimi në Facebook, tha se tre liderët u munduan që ditën më të zakonshme të vitit, ta kthejnë në ditë historike.

“Ai momenti kur radari i historisë nuk të ka kapur kurrë askund dhe mundohesh që ditën më të zakonshme të vitit ta kthesh në ditë historike!” –ka shkruar ai.

Çka tash?

Ish-zëvendësministri i Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu ka shpjeguar procesin e integrimit të vednit në BE, duke thënë se ndahet në dy pjesë: 1. Asocimi me BE-në; 2. Anëtarësimi në BE.

“Asocimi përfshin pjesën e negocimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Ndërsa, anëtarësimi përfshin marrjen e statusit të vendit kandidat, negociatat e anëtarësimit deri te anëtarësimi formal në BE. Procesi i asocimit mes Kosovës dhe BE-së është përmbyllur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Procesi i anëtarësimi në BE do të filloj me aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrjen e statusit të kandidatit. Kjo do të shënoj fillimin e një rrugëtimi të gjatë për tu bërë vend Anëtarë i BE-së.” - ka shtuar tutje ai.

Kryeziu, ka përmendur edhe faktorët që ndikojnë që ky aplikim, të ketë sukses.

“1. Vullneti i fortë politik për të bërë reforma të dhimbshme politike;

2. Ndërtimi i administratës profesionale të aftë për për të mbështetur nivelin politik dhe për të përballur presionin administrativ të procesit të anëtarësimit;

3. Diplomaci efektive për të mbështetur procesin integrues të Kosovës.” – shkroi ai.

Kryeziu, ka thënë se secili vend mund të dorëzojë kërkesë për anëtarësim në BE dhe se ky bllok, vlerëson gatishmërinë përmes kritereve të përcaktuara nga Këshilli Evropian në vitin 1993.

“1.Kriteret politike: institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave;

2. Kriteret ekonomike: një ekonomi funksionale e tregut dhe aftësinë për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut në BE;

3. Legjislacioni i BE-së apo acquis: aftësia për të marrë dhe zbatuar në mënyrë efektive detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë respektimin e qëllimeve të bashkimit politik, ekonomik dhe monetar.” – tha ai.

Lajme të ngjashme