Premtuan ndihma në marrjen e granteve, policia arreston dy persona në flagrancë
Policia e Kosovës saktësisht sektori anti-korrupsion ka arrestuar dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ”Ushtrim i ndikimit”.
Sipas njoftimit të PK-së dyshohet se të njëjtit kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një ministrie të RKS-së.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 16.01.2023, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ”Ushtrim i ndikimit” neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me ç ‘rast dy persona të dyshuar janë arrestuar. Dyshohet se të njëjtit kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një ministrie të RKS-së, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri.” – është bërë e ditur në njoftimin e PK-së.
Tutje policia ka bërë të ditur se dy personat janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur.
“Lidhur me rastin dy personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur, përderisa të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren me autorizimin e prokurorit kompetent.” – thuhet në njoftim.
