Prej sot qytetarët do ta paguajnë rrymën më shtrenjtë - NACIONALE

Prej sot qytetarët do ta paguajnë rrymën më shtrenjtë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nga sot kosovarët do të paguajnë rreth 15 për qind më shtrenjtë për faturat e energjisë elektrike. Kjo pasi të enjtën e 30 marsit,, bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka marrë vendim që tarifat e energjisë elektrike të shtrenjtohen. Trifat e reja hyjnë në fuqi sot (1 prill), e do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Për rritjen e këtyre tarifave kanë reaguar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. Në reagim thuhet se kjo rritje nuk i prekë as edhe për një cent të vetëm serbët të cilët, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera, në ndërkohë që kanë punuar për interes të Serbisë dhe kundër institucioneve të Kosovës.

KMDLNj theksoi se diskriminimi i qytetarëve në baza etnike është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe vepër penale e kjo po ndodhë në Kosovë, shqiptarët dhe joserbët janë të detyruar të paguajnë të gjitha faturat, kurse serbët këtë nuk e bëjnë, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.

“Në një vend normal ku ka aktivizëm qytetarë dhe deputetë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, asnjë qeveri nuk do t’i mbijetonte presionit të arsyeshëm shkaku i diskriminimit të lakuriquar në baza etnike. Po nëse ky veprim do t’iu bëhej serbëve, rasti do të shkonte deri te Kombet e Bashkuara”, u tha në reagim.

Reagime për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka pasur edhe nga partitë opozitare, komuniteti i biznesit dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Si erdhi deri tek shtrenëtimi i faturave të energjisë elektrike?

Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka miratuar në mbledhjen e fundit tarifat e reja të energjisë elektrike, që do të jenë më të shtrenjta për 15.4 për qind.

Propozimi i departamentit të tarifave në bazë të shtrenjtimit për 15 për qind është ky:

Për konsumatorët deri 300 kWh, rritja mujore në supozimin se konsumi do të jetë 60 me 40, do të ketë rritje prej 2 eurosh e 88 centësh. Për konsumatorët deri 450 kËh prej 4 eurosh e 18 centësh. Për konsumatorët deri në 600 këh, rritja do të jetë 5 euro; deri në 800 këh, ku bëjnë pjesë 80 për qind e konsumatorëve, rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Për ata që harxhojnë 1000 kËh, rritja do të jetë 10,51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kËh, rritja do të jetë 13,80 euro.

Kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, ka thënë se kjo po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, kostot do të jenë edhe më të larta.

Në mbledhjen e kaluar, nga 394 milionë euro, sa ishin paraparë për të hyrat e lejuara për KESCO-n për vitin e ardhshëm në raportin konsultativ, ZRrE-ja kishte miratuar vendim edhe për 4 milionë euro, pra 398 milionë euro për të hyrat e lejuara.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ndërhyjnë në punën e ZRrE-së.

“Ministrat e linjës kanë komunikuar dhe janë dakorduar dhe ia kanë dhënë rekomandimet e tyre ZRrE-së në bashkëpunim me KEK-un sa i përket sektorit të energjisë e në veçanti sa i përket çmimeve të energjisë elektrike”- tha ai.

“Çka zotohem është se, në njërën anë, nuk i ndërhyjmë punës së institucioneve të pavarura, por, në anën tjetër, do të bëjmë që t’ua lehtësojmë barrën qytetarëve me çmimet dhe sigurimin sa më stabil të energjisë” – shtoi Kurti.

Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga 1 prilli dhe do të jenë të vlefshme deri në vitin 2024.

E me tarifat aktuale për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji paguajnë 12,5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5,9 centë gjatë tarifave të ulëta.

Konsumatorët që shpenzojnë më pak, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.

Nga shtatori i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Secili konsumator që kursen së paku 5% të faturës, përfiton subvencion sa dyfishi i përqindjes së kursyer.

Ky subvencionim i Qeverisë është ende në fuqi.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1,300 megavatë në orë. Këtë dallim e importon nga jashtë.

Kosova është e varur kryesisht nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat prodhojnë rreth 500 megavatë energji elektrike në orë.

Për shkak të vjetërsisë së tyre me dekada, ato shpesh pësojnë prishje.

Në vitin 2005, Qeveria e atëhershme e Kosovës kishte pasur një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri, por ai nuk është realizuar kurrë.

Lajme të ngjashme