Poshtërimi nga Elektroseveri serb: Qeveria Kurti jep miliona euro për shpenzimet e energjisë në veri, por jo informacione - NACIONALE

Poshtërimi nga Elektroseveri serb: Qeveria Kurti jep miliona euro për shpenzimet e energjisë në veri, por jo informacione

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tetë muaj më parë, në Bruksel ishte arritur marrëveshja për energjinë elektrike mes Kosovës dhe Serbisë që supozohej t’i jepte fund pagesës së faturave për qytetarët serbë në veri nga taksapaguesit nga pjesa tjetër e Kosovës. Por, kompania serbe po vazhdon të ‘poshtërojë’ Kosovën, edhe përkundër se veçse e kishte poshtëruar edhe në vjeshtë. Çka po ndodh?

Marrëveshja në fakt ishte “udhërrëfyes për zbatimin” e dy marrëveshjeve të mëhershme, asaj të 2013-s dhe asaj të 2015-s. Pra, Qeveria Kurti kishte marrë zotimin që të zbatonte atë që e kishin nënshkruar më herët Qeveritë Thaçi e Mustafa. Qershori i vitit të kaluar, ishte një pikë kthese politikisht... e megjithatë, kthesa u përmbys nga tjetërkush.

Elektroseveri parashihej që të ofronte shërbime të distribuimit, mbledhjes, mirëmbajtjes dhe lidhjees fizike të konsumatorëve në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Nuk dihej nëse shqiptarët e këtyre komunave, do të kishin mundësi që të zgjidhnin operatorët si në pjesën tjetër të Kosovës.

Poshtërimi I

Por, poshtërimi nisi me rrjedhjen e afatit prej 100 ditëve për plotësimin e kushteve. Ajo periudhë kohore kaloi, dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) tregoi zemërgjerësi e dha edhe afat shtesë prej 15 ditësh. E më pas, s’u lodh fare me afate tjera shtesë... pasi ato kalonin njëra pas tjetrës, e kushtet nuk plotësoheshin.

“Po, afati ka kaluar të dielën (2 tetor). (Megjithatë) Duhet të kalojë afati prej 15 ditësh nga data e 100-ditëshit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Elektroseverin. Por ata po përdorin arsye të zakonshme politike (për mospërmbushje të kritereve)”, – thuhej në përgjigjen e tyre për Nacionalen në atë vakt.

Afati kaloi, dhe tash jemi më 25 shkurt të vitit 2022 pa asnjë informacion. Në atë periudhë, i dërguari special për dialogun Mirosllav Lajçak kishte bërë një takim prapa dyerve të mbyllura me përfaqësues nga KEDS, ZrrE, dy qeverisë dhe Elektroseveri që të arrihej një – lexojeni mirë – një marrëveshje e re për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të vjetra.

Që nga kjo ‘’marrëveshje’’ e panjohur, Qeveria e Kosovës vazhdon të ndajë miliona euro nga buxheti i saj për faturat e energjisë elektrike për katër komunat në veri të vendit.

Poshtërimi II

Kjo marrëveshje as pas 256 ditësh ende nuk ka filluar zbatimin, e as Nacionale nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës e as ZRrE. Këta të fundit nuk kanë ofruar informacione për marrëveshjet as për qytetarët, ani pse kishin njoftuar me pompozitet arritjen e marrëveshjes së qershorit 2022.

Në anën tjetër qeveria e Kosovës, vazhdon të insistojë se nuk do të paguaj faturat për veriun, por ministrja Artane Rizvanolli, ka ndarë 14 milionë për këto fatura që nga arritja e ‘’marrëveshjes’’.

Ndërsa më korrektët në këtë mes del të jetë një kompani private ‘’KEDS’’, të cilët ishin pjesë e takimit të dytë në Bruksel, kur është arritur marrëveshja e re.

“Çështja e energjisë elektrike në veriun e Kosovës është subjekt i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka rreth çfarëdo detaji shtesë të bisedimeve të të dyja delegacioneve, ju lutem drejtojuni Qeverisë së Kosovës si institucioni më i lartë i përfshirë në këtë proces. Ndërkaq, në lidhje me pyetjet tuaja tjera rreth detajeve teknike, ju lutem drejtojuni Zyrës së Rregullatorit të Energjisë-ZRRE-së, i cili institucion licencon dhe rregullon dy kompanitë përkatëse,”- thuhet në përgjigjen e KEDS-it për Nacionalen.

Kryeministri Albin Kurti të hënën më 27 shkurt do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, por ku nuk besohet se do të diskutohet për marrëveshjet e energjisë. Tema e përmendur nga zyrtarët e lartë të BE-së për këtë takim është pranimi zyrtar i propozimit evropian (franko-gjerman).

Lajme të ngjashme