Elektroseveri injoron Kosovën, ekspertët e quajnë të gabuar marrëveshjen në Bruksel
Kompania serbe, Elektrosever, nuk po e respekton marrëveshjen. Elektrosever prej një muaj që është licencuar e deri më tani nuk ka dorëzuar regjistrin e konsumatorëve në Kompaninë e Distribuimin të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS].
Kompania Elektrosever ishte paraparë që të licencohet në Kosovë në kuadër të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, e cila u nënshkrua në qershor të këtij viti.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për energji e nënshkruar më 21 qershor, një muaj pas nuk po gjen zbatim në praktikë. E vonesat po bëhen për shkak se kompania serbe që u licencua nga Zyra e Rregullatorit për Energji [ZRrE], Elektroseveri, nuk po e respekton marrëveshjen.
Problemi është politik
Mos-respektimi i afatave dhe marrëveshjes, po shihet si çështje politike pasi problemet kanë qenë teknike.
Kështu ka thënë ish-drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës [KEK], Pranvera Dobruna e cila për Nacionale, tha që çështja e licencimit nuk është dashur të shkojë në Bruksel dhe ky problem tanimë, sipas saj, është politik.
"Unë mendoj që çështja e licencimit nuk është deshtë hiç të shkojë në Bruksel. Është dashtë që të shkojë në Bruksel. Është dashtë që të licencohet në vitin 2019/20. Tash është ba shumë politike. Si pasojë, shteti nuk guxon që ta shkyçë veriun, por duhet me vazhdu me pagu dhe KOSST-i hynë ne panele. KOSST-i duhet me e tërhekë energjinë nga Evropa qendrore për me e furnizu veriun, për faktin që edhe pse i kemi licencu, nuk i marrim përgjegjësitë për vetë.”, ka thënë ajo.
Më tej, Dobruna ka thënë se negocimi i marrëveshjeve në Bruksel duhe të ketë si bazë edhe implementimin e tyre, e jo vetëm të nënshkruhen marrëveshje që nuk gjejnë zbatim.
“Ne e kemi thanë vazhdimisht që problemi i furnizimit, mbetet problem i brendshëm, por deri tash kjo nuk është arrit. Prandaj, qëllimi i Serbisë është me të tregu që ti nuk je i aftë me i menaxhu asetet tuaja. Ky është qëllimi. Unë ka pritë që çështja e licencimit të zgjidhet më herët. Problemet që kanë qenë puro teknike, po bëhen cdo ditë e më shumë politike. Unë jam për me shku në Bruksel, por duhet me e ditë se çka po negocion. Duhet me qenë marrëveshje që janë të implementueshme.”, ka theksuar ajo.
Qeveria pret reagimin e BE-së
Për mos respektim të afateve të marrëveshjes për energji me Serbinë, ka folur edhe kryeministri i Kosovës të mërkurën në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Kurti theksoi se nuk do të bëhet më pagesa e rrymës për komunat veriore me shumicë serbe dhe se fajtori kryesor që s’po respektohet marrëveshja, është qasja destruktive e Serbisë.
Për më tepër Kurti ka thënë se po presin reagimin e Brukselit për këtë problem.
“Nuk mund te pritet që Qeveria e Kosovës të bëjë subvencionimin për energjinë konsumuar në veri të papaguar atje. Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori e fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit ashtu siç ishin paraparë oraret. Ne presim reagimin e Brukselit, nuk mund të vazhdojmë me mënyrat e vjetra, ne jemi konstruktiv e të përkushtuar”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër Kryetari i Bordit të Rregullatorit të Energjisë Elektrike, Ymer Fejzullahu, ka thënë se ata kanë kryer punën e tyre dhe se tani është në dorë të KOSST-KEDS dhe Elektrosever që të zbatohet marrëveshja.
Sipas udhërrëfyesit ku thuhej se brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësimin e BE-së, kurse në pikën tjetër thuhej se 10 ditë pas licencimit për furnizim, Elektroseveri do t’i nënshkruaj marrëveshjet teknike me KOSST dhe KEDS.
Deri më tani nga Bashkimi Evropian nuk kemi parë ndonjë reagim lidhur me mos-zbatimin e marrëveshjes.
Kujtojmë se Kosova ka paguar deri më tani rrymën e shpenzuar nga serbët në komunat veriore

