Vuçiqi i "tradhton" Kosovën dhe BE-në: pritet heqja e licensës për "Elektroseverin", dialogu në rrezik - NACIONALE

Vuçiqi i "tradhton" Kosovën dhe BE-në: pritet heqja e licensës për "Elektroseverin", dialogu në rrezik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhërrëfyesi që ia rrëfeu udhën kryeministrit Kurti në Bruksel, është pranë kolapsit në një zhvillim dramatik sa i përket dialogut të Kosovës me Serbisë. "Elektrosever"-it mund t’i hiqet licensa, pas një sage të gjatë disamujore në të cilën pala serbe duket krejt e painteresuar për ecje përpara. Kjo mund t'i kthejë gjërat krejtësisht mbrapsht. Çka po ndodh dhe pse kjo është situatë dramatike?

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar në Bruksel për një udhërrëfyes mbi zbatimin e marrëveshjes për energjinë. Sidoqoftë, përkundër që një çështje e tillë e ridinamizoi dialogun edhe mes përfaqësuesve të lartë të shteteve, Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit, duket se gjërat po kthehen në pikën zero.

Muajin e kaluar, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte deklaruar se në bazë të informacioneve që kishte, "Elektrosever"-i – operatori serb që duhej t'i kryente shërbimet e energjisë në katër komunat me shumicë serbe – nuk kishte përmbushur asnjë nga kriteret e përcaktuara në udhërrëfyes.

Afati i përcaktuar prej 100 ditësh nga licensimi prej ZRrE-së për t'i plotësuar kushtet tashmë ka kaluar. Prej 24 qershorit, kur u dha licensa, e deri tash, kanë kaluar 103 ditë dhe ZRrE-ja mund ta pezullojë ose ta tërheqë licensën e operatorit serb.

Nacionale ka kontaktuar me kompaninë serbe, por deri në këto momente nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, Nacionalja mori një përgjigje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila pranoi se afati prej 100 ditësh ka kaluar.

“Po, afati ka kaluar të dielën. (Megjithatë) Duhet të kalojë afati prej 15 ditësh nga data e 100 ditëshit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Elektroseverin. Por ata po përdorin arsye të zakonshme politike (për mospërmbushje të kritereve).”

Kush është "Elektrosever"-i?

Si opozitar, kryeministri aktual, Albin Kurti, kishte qenë jashtëzakonisht i ashpër ndaj qeverive të mëhershme, që e kishin nënshkruar të njëjtën marrëveshje që ishte zotuar ta zbatonte.

"ElektroSever"-i është projektuar si kompani me kompetenca e veprim të fuqishëm për të qenë pjesë e "Zajednicës". Të ardhurat prej tij do të shkojnë në buxhetin dhe për fuqizimin e saj", thoshte Vetëvendosje në vitin 2016.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës [ARBK], kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd” është pronare e operatorit "Elektrosever", siç kishte raportuar muaj më parë gazeta Nacionale. Ky operator do ta faturojë rrymën në veri dhe aksionare kryesore del të jetë hiç më pak se Republika e Serbisë.

“Themelues i Elektroprivreda Srbije është Republika e Serbisë, dhe të drejtat ushtrohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Organet e ndërmarrjes Publike të Industrisë së Energjisë Elektrike janë Bordi dhe Drejtori. Bordi mbikëqyrës dhe Drejtori emërohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Ndërmrrja ka shtatë anëtarë të zgjedhur nga Drejtori.” – thuhet në përshkrimin e kësaj kompanie.

Pra, Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë nuk po shkilet për shkaqe teknike nga inxhinierë të caktuar por nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për shkaqe politike.

Më shtrenjtë se kurrë

Problemi më madhor që mësyhej të zgjidhej ishte ai i faturave të papaguara të qytetarëve në katër komunat me shumicë serbe. Dhe i cili, duket se do të mbetet barrë e rëndë te qytetarët e tjerë edhe të paktën këtë dimër – marrë parasysh krizën e madhe energjetike në mbarë Evropën.

Ish drejtoresha e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) i kishte thënë Nacionales se qëllimi i Serbisë është të tregonte se Kosova nuk ishte e aftë të menaxhonte asetet e saj dhe se ishte gabuar që çështja ishte negociuar në Bruksel.

“...qëllii i Serbisë është me të tregu që ti nuk je i aftë me i menaxhu asetet tua. Ky është qëllimi. Unë kam pritë që çështja e licencimit të zgjidhet më herët. Problemet që kanë qenë puro teknike, po bëhen çdo ditë e më shumë politike. Unë jam për me shku në Bruksel, por duhet me e ditë se çka po negocion. Duhet me qenë marrëveshje që janë të implementueshme.” - na kishte thënë ajo.

Më 10 gusht, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 40 milionë euro për rrymën në veri ndërkohë që shpenzimet e përgjithshme pritet të jenë më të larta se asnjëherë tjetër deri në fund të këtij viti.

Bislimi me huqje të rëndë

Megjithëse udhërrëfyesi nuk kishte marrë shumë vëmendje në vend, për shkak të pritjes së përgjithshme që të zgjidhej çështja e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe, Zv. Kryeministri Besnik Bislimi e kishte bërë një lëshim të rëndë.

Megjithëse Kryenegociator, Bislimi e kishte pranuar se nuk e dinte se si do të furnizoheshin qytetarët me etni shqiptare që banonin në katër komunat e lartpërmendura.

“Në bazë të sistemit ekzistues energjetik, po them KESCO është ofrues universal i shërbimeve të furnizimit. Qysh funksionon kjo në rrafshin teknik, gjatë implementimit, duhet me i thirrë ekspertat edhe me spjegu në rrafshin teknik. Me mu duhet me folë politikisht,” – kishte thënë ai.

*Zyra e Rregullatorit të Energjisë është kontaktuar nga gazetarja Anita Nikaj.

PËRDITËSIM: Drejtori Menaxhues i Elektroseverit, Boban Novakoviq, i ka kthyer përgjigje Nacionales pas publikimit të këtij shkrimi, duke i thënë se çështja ishte "politike" dhe se ai ishte vetëm punëtor i kompanisë në fjalë.

Lajme të ngjashme