Gati të zbatohet marrëveshja, ZRrE e licencon Elektroseverin të operojë në veri - NACIONALE

Gati të zbatohet marrëveshja, ZRrE e licencon Elektroseverin të operojë në veri

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka licensuar kompaninë Elektrosever që të operojë në veriun e vendit.

Kjo pas marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Licencimi i “Elektroseverin”, u bë me pesë vota për dhe asnjë kundër.

“Me të drejtë u përshkrua në mënyrë kronologjikë aplikacioni për licencim. Katër komunat në veri: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica Veriore, territori qe mbulon kjo licencë janë konsumatorët e këtyre komunave. E dimë që ka qenë proces i stërzgjatur. Kjo licencë gjithashtu duhet të ritheksoj ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët do të furnizohen me çmime që ofrohen nga ky furnizues”, ka thënë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Marrëveshja mes dy vendeve arrit këtë javë në Bruksel.

Çka parasheh marrëveshja?

Aty përmendet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në dokument thuhet që brenda shtatë ditëve të lëshimit të licencës, Elektrosever do t’i ofrojë Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike - KEDS dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë - KOSTT të dhënat më të fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësim të BE-në.

“Pas 10 ditëve të lëshimit të licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës për energji”, thuhet në një prej pikave të udhërrëfyesit.

Brenda 15 ditëve të nënshkrimit të marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, Elektrosever do të pajisjet me kodet identifikuese, ashtu që të kryejë aktivitetet që i parasheh licenca.

Më pas, në periudhë 30-ditore KEDS dhe KOSTT (nën ndërmjetësim të BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje.

Në pikën e gjashtë të udhërrëfyesit përmendet që brenda 45 ditëve të sigurimit të licencës, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektrosever-in do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizim të infrastrukturës ekzistuese.

Pas 21 ditësh, ZRRE më pas do të miratojë këto plane në parim.

Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektrosever-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësim të BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

BE më pas do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën prej ndonjërës palë.

Lajme të ngjashme