“Politikanët po bëhen gazetarë”: Rama e Berisha me podcaste të tyre, po Kurti? - NACIONALE

“Politikanët po bëhen gazetarë”: Rama e Berisha me podcaste të tyre, po Kurti?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Politikanët - gjithmonë në luftë me mediat nga frika se në një moment mund të përballen me gazetarë të etur për t’ua nxjerrë të palarat në publik, me ndonjë pyetje që s’u përgjigjen dot, apo me ndonjë video të tyre nga e kaluara ku mund të mos e njohin veten - rasti me kryeministrin Albin Kurti – ka bërë që çdo ditë e më shumë të kërkojnë metoda të tjera komunikimi të cilat mund t’i kenë vetë nën kontrollë.

Rasti më i fundit, më 3 prill, dy figurat kryesore politike në Shqipëri, kryedemokrati Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama morën vëmendje të madhe në një kohë kur priten zgjedhjet lokale, duke prezantuar podcastet e tyre.

Në ndjekje edhe të një audience më të re, të dy politikanët shqiptarë do ta sfidojnë njëri-tjetrin në vazhdim në një mënyrë me ndryshe - atë ku të dy janë në rolin e gazetarit.

“Flasim” është podcasti i Edi Ramës dhe “Jeta përtej politikës” ai i Sali Berishës, të dy tashmë kanë publikuar edhe episodet e para. Kryeministri Rama kishte të ftuar personazhe sporti që kanë dhënë kontribute për Shqipërinë, ndërkohë podcasti i Berishës ishte më shumë narrativ, në veten e parë më kujtime të tij nga fëmijëria.

Megjithatë, duke ditur se as Berishës e as Ramës nuk u mungon vëmendja mediatike, tendenca e fundit e tyre mund të shihet vetëm si një nevojë madhore për të kontrolluar drejtpërdrejt komunikimin dhe atë që përcillet, duke qenë vetë në rolin e gazetarit.

Kjo situatë shumë e komentuar aktualisht, solli edhe shqetësim të deputeti socialist Pandeli Majko, i cili duke folur në komisionin parlamentar për ligjin e autoritetetit të mediave audiovizive pyeti nëse janë nën rregullore të legjislacionit.

“Këto podcast që po dëgjojmë. Rama do të krijojë një podcast të vetin edhe zoti Berisha po ashtu. Këto janë të rregulluara nga ky ligj? Janë nën rregulloren e këtij legjislacioni që po diskutojmë sot? Kam përshtypjen e influenca e rrjeteve sociale po krijon disa zona të lira të ashtëquajtura ekonomike dhe këtu po diskutojmë për të kontrolluar disa mediave të licensuara në një kohë që tregu i medias është ridimensionuar. A ka fuqi AMA të ndërhyjë, apo duhen rregulla ligjore? Pyetja ime është a është e rregulluar kjo?”- ishte pyetja e Majkos.

Po Albini Kurti?

Kyeministri i Kosovës Albin Kurti, ende nuk ka prezantuar një ide të ngjashme, megjithatë nga ajo që kemi parë deri më tani në lidhje me raportet e tij me mediat, nuk do të ishte shumë befasuese edhe një podcast nga ai.

Nga përjetimi, dijmë se qeveria Kurti ka qenë dhe vazhdon të jetë gjerësisht e kritikuar për mostransparencë dhe bojkot të mediave, prandaj idea për podcast duket si diçka që mund të ishte e pranueshme edhe për të.

Përveç se trend, një podcast i mundshëm do t’i ofronte mundësinë kryeministrit Kurti të shprehej pa u ndjerë në siklet nga e kaluara, por edhe do ta shpëtonte nga djersitja që përjeton nga pyetjet e gazetarëve edhe në rastet e rralla që përballet me ta.

Çka është podcasti?

Podcast – një metodë komunikimi që në kontrast me audio të tjera dixhitale, zakonisht në vend të muzikës ka bisedë. Ekziston që nga vitet 2000 si podcast zanor, por podcast që ne e njohim sot lindi nga viti 2004 përmes iPod e iTunes, nga e mori edhe emrin.

Megjithatë, me zhvillimin e rrjeteve sociale e veçanërisht youtube, podcast u bë një metodë komunikimi që po u bënë konkurrencë mediave tradicionale. Kjo tregohet veçanërisht në rastin e dy politikanëve shqiptarë të cilët qysh në prezantim të podcasteve të tyre u bënë ftesë kundërshtarëve për pjesëmarrje.

“Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin,”- ishte ftesa e Berishës për Ramën, të cilët megjithatë kanë qenë më të hapur ndaj mediave sesa politikanët kosovarë.

Duke kujtuar televizionin e dështuar të LVV-së, TVV, bojkotin e qeverisë ndaj mediave të tjera në Kosovë përveç RTK-së, (i cili tashmë në krye ka një ish-aktivist të VV-së, Rilind Gërvalla), podcast mund të jetë platforma e re si një zgjidhje e përshtatshme për liderët tanë që nuk i durojnë dot kritikat.

Lajme të ngjashme