Në prag zgjedhjesh, Rama premton paga mesatare 900 euro, Berisha: Lojë cinike
Përderisa ka mbetur një muaj e pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka bërë publik projektligjin për reformën e re për paga.
Duke premtuar se brenda një viti paga mesatare në Shqipëri do të arrijë nga 530 në 900 euro, Rama ka treguar se nga ky projektligj do të përfitojnë të gjithë punonjësit e administratës.
“Është një nga ditët më të shënuara të qeverisjes sime. Kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë, se në harkun e një viti paga mesatare e Republikës së Shqipërisë do të shkojë nga 563 euro që është sot, në 900 euro. Ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra,”- është shprehur Rama.
Ai ka treguar se rritja e pagave do të kalojë në dy faza, ku nga ky muaj rritje kanë përfituar mjekët, infermierët, mësuesit, punonjësit e sigurisë dhe zjarrfikësit. Ndërsa, 5 muaj nga rritja prej 7 % që u është bërë, pedagogëve do t’u rritet sërish paga me 20 %.
Duke folur për mediat shqiptare, Rama ka thënë se pjesa tjetër e administratës do të përfitojë nga rritja e pagës pasi ligji të kalojë në parlament për miratim.
“Rritja e pagave do të nisë në muajin prill për të gjithë kategoritë e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë, pra policia e shtetit, policia e burgjeve, garda e Republikës dhe zjarrfikësit, ndërkohë që përsa i përket administratës publike, qendrore dhe vendore, rritja e pagave do të fillojë me miratimin e këtij ligji në Parlament. Lidhur me efektet financiare që kjo politikë e re ka, në vitin 2025, kur kjo politikë të ketë hyrë e gjitha në fuqi dhe të jetë reflektuar e gjitha, do të kemi një efekt shtesë në buxhet prej 38 miliardë lekë,”- është shprehur ai, ndërsa ka shtuar se rritje të pagave do të ketë edhe në sektorin privat.
Megjithatë, ky premtim i kryeministrit Rama se do ta bëjë rrogën mesatare 900 euro, është cilësuar nga kryedemokrati Sali Berisha si një lojë cinike që po bëhet në prag zgjedhjesh.
“U desh të vijnë zgjedhjet, që të fillojë lojën cinike Edi Rama se do bëj rrogën mesatare 900 euro dhe do u japë 5 mijë lekë pensionistëve,”- është shprehur Berisha nga qyteti i Dibrës, ku ka ftuar qytetarët të votojnë për zgjedhjet e 14 majit dhe të rivendosin pluralizimin.
Kujtojmë se për shkak të bojkotimit që i bëri opozita zgjedhjeve lokale të vitit 2019, aktualisht gati të gjitha bashkitë e vendit i përkasin Partisë Socialiste.
