Politikanët krenohen me policinë, por harrojnë kërkesën e tyre 24-vjeçare për sigurim shëndetësor
Policia e Kosovës sot ka shënuar 24 vjetorin e themelit të saj. Me këtë rast, kryeministrit aktual dhe politikanë të tjerë janë shprehur krenar me këtë institucion.
Megjithatë, ata nuk kanë përmendur vështirësitë më të cilat po përballet pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në këtë përvjetor ata kanë harruar kërkesën e përhershme të policisë për sigurime shëndetësore.
Madje, nga fillimi i këtij viti Policia e Kosovës nuk i merr as shtesat e rrezikshmërisë. Ndonëse prej hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Pagat u është premtuar një gjë e tillë, ata ende nuk e gëzojnë këtë të drejtë.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, është shprehur i shqetësuar me mosrealizimin e kërkesave të tyre nga qeveritë e deritashme.
Ai ka bërë me dije se që 24 vite ky institucion funksionon pa sigurime shëndetësore.
“Kur jemi të kërkesat e Policisë së Kosovës e që janë adresuar përmes sindikatës së policisë së Kosovës këto kërkesa kanë qenë të kahershme dhe vazhdojnë të jenë prapë të përhershme të gjitha ato që nuk janë realizuar. Me një polici kaq profesionale me sfidat që i ka treguar për këto 24 vite dhe mos të ketë ende një sigurim shëndetësor dhe jetësorë. Definitivisht kjo ka qenë kërkesë e kahershme e Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe vazhdon të jetë dhe që ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete nga as një Qeveri deri më tani dhe jo vetëm nga kjo”, ka thënë Zeqiri.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë përballë kërkesave të policisë.
“E që nga kjo po kërkojmë se unë mendoj se do të jetë nder për secilën Qeveri që do t’i plotësoj kushtet për PK sepse jemi institucioni i vetëm i sigurisë në vend e që punën po e kryejmë më një dinjitet dhe vullnet të pa kompromis”, ka thënë ai.
Adresimet e politikanëve
Në Ditën e Policisë shumica e politikanëve kanë uruar këtë institucion, duke u shprehur krenar me arritje e policisë. Sipas tyre, ky është nder institucionet me kredibile të Kosovës.
Urime të njëjta ka shprehur edhe kryeministri Albin Kurti.
Në urimin e tij, ai askund nuk ka përmendur mungesën e shtesave të rrezikshmërisë për policët.
“Policia e Kosovës sot shënon 24 vjetorin e themelimit të saj. “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” është motoja e këtij përvjetori, e cila më së miri përfaqëson Policinë tonë. Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke treguar për operacionet policore.
“Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit. Të gjithë zyrtarëve policor që sot janë në krye të detyrës në çdo cep të Republikës së Kosovës u uroj 24 vjetorin e themelimit të Policisë”, ka shkruar ai.
Fjale të mira ka shprehur edhe ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Me 6 shtator 1999, pak muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, filloi gjenerata e parë e kadetëve të Policisë së Kosovës. 24 vite më vonë, me 58 gjenerata deri më tash, Policia jonë mes sfidash të ndryshme por me profesonalizëm e përkushtim ka shënuar suksese të shumta. U jam mirënjohës e falënderues secilit e secilës, që në uniformën e Policisë sonë ju ka shërbyer qytetarëve tanë e Republikës sonë në çdo cep të saj. Urime të gjithëve 24 vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës!”, ka shkruar Sveçla në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, ish-kryeministri Ramush Haradinja, ka thënë se ky institucion është model edhe për vendet e rajonit.
“Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë, institucion ky që konsiderohet model edhe për vendet e rajonit. Ata vazhdojnë të jenë shembull i integritetit dhe profesionalizmit në shërbim të komunitetit. Policia jonë, me profesionalizëm e devotshmëri po e kryen detyrën e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe ligjit. Andaj, shteti duhet ta ketë prioritet ofrimin e kushteve të favorshme, në raport me kompleksitetin e detyrave që kryejnë”, ka shkruar Haradinaj, duke shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e të Policisë për shërbimin ndaj Atdheut.

