Policia e Kosovës konfiskon mbi 1 mijë e 200 fishekë në një fshat të Zveçanit, çka po ndodh në veri? - NACIONALE

Policia e Kosovës konfiskon mbi 1 mijë e 200 fishekë në një fshat të Zveçanit, çka po ndodh në veri?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga protestat e dhunshme të serbëve në komunat veriore të Kosovës, të cilët tentuan t'i pengojnë kryetarët e zgjedhur të hyjnë në objektet komunale, situata në katër komunat në veri të vendit ka qenë vazhdimisht e tensionuar. Derisa protestat serbe mbaheshin para objekteve komunale, Policia e Kosovës ka vazhduar arrestimet e disa personave, konfiskimin e armëve dhe municioneve të shumta. Çfarë po ndodh në veri?

Pas shpërthimit të protestave, situata në veri u tensionua, madje duke krijuar alarm ndërkombëtar. Që nga ajo kohë, Policia e Kosovës ka intensifikuar aksionet në veri duke konfiskuar armë, municione e parandaluar edhe sulme të mundshme terroriste.

Gjatës ditës së sotme, Njësia për ndërhyrje të shpejtë e Policisë ka arritur të zbulojë dhe të konfiskojë një sasi të rëndësishme municioni të dyshuar në një fshat të Zveçanit.

Nga një njoftim i dhënë në Facebook nga Polica e Kosovës, u bë e ditur se ky operacion ka patur origjinën nga një patrullim i rregullt, i ndërmarrë nga njësia për ndërhyrje të shpejtë në bashkëpunim me Policinë Kufitare.

Ndërkohë që po patrullonin në afërsi të një shtëpie të braktisur, autoritetet kanë zbuluar dy qese që përmbanin municion të dyshuar. Nga ky operacion janë sekuestruar më shumë se 1 mijë e 200 fishekë.

“Me datë 14.08.2023 Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë - NjNSh nga Policia Kufitare, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta të patrullimit, në afërsi të një shtëpie të braktisur në fshatin Rudine – Zveçan kanë hasur në dy qese me municion të dyshuar, me sasi prej mbi 1200 (njëmijë e dyqind) fishekësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më 11 gusht, Policia e Kosovës i ka arrestuar pesë persona në Zveçan, të dyshuar për gjuajtjen me armë zjarri në drejtim të forcat policore.

Përveç arrestimit të pesë personave, Policia e Kosovës kishte konfiskuar edhe tri vetura.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit në rrethinën e Komunës së Zubin Potokut policia ka has në një kombi dhe disa vetura të cilat besohej se kontrabandonin mallra. Gjatë tentimit për ndalim ka pas shkëmbim me armë zjarri por nuk ka të plagosur. 5 persona janë arrestu, ndersa janë konfisku kombi dhe tri vetura. Hetimet rajonale Mitrovica Veri po merren me rastin i cili cilësohet si sulm ndaj personave zyrtar, posedim narkotikësh dhe kontrabandim me mallra.” – tha Elshani për Nacionalen.

Ndërsa para një muaji, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte njoftuar për parandalimin e një sulmi terrorist në veri të vendit.

Në këtë aksion të Policisë ishte identifikuar një veturë me targa të Beogradit, 100 metra larg Zveçanit, ku janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme.

Ministri Sveçla kishte deklaruar se “të gjitha këto mjete, kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste”.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë.” – u shpreh ai.

Në lidhje me këtë, kishte reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke i përmendur edhe kritikat që i morën për marshin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.

“Kjo sasi e armatimit është kapur sot nga Policia e Kosovës, për të parandaluar sulme terroriste të nxitura dhe planifikuara nga Serbia. Janë të përditshme rastet e tentimit për destabilizim të vendit tonë dhe ende dikush hamendëson për fajtorin e vetëm në këtë mes, e që është Beogradi”, ka thënë Mehaj.

Me 11 korrik, Qeveria e Kosovës, lëshoi një komunikatë për të dhënë detaje për marrëveshjen për shtensionimin që u arrit në Bratisllavë, mes Besnik Bislimit, kryenegociator i Qeverisë Kurti, dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesin e Lartё i Bashkimit Evropian.

Marrëveshja rezultoi me tërheqjen e qeverisë duke tërhequr tashmë shumicën e Policisë së Kosovës përreth ndërtesave komunale. Megjithatë, rreth një muaj nga marrëveshja e Bratislavës, përveç zbatimit të plotë të pikës së marrëveshjes për tërheqjen e prezencës policore në dhe rreth objekteve komunale, ende nuk ka një plan të qartë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Ndërkaq, Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se prezenca Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar.

Më tej ajo ka thënë se është duke vazhduar puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut.

Lajme të ngjashme