Policët e Kosovës sulmohen në veri, të tjerë s’qortojnë – Drejtori Gjuriq suspendohet, kërcënime nga politikanë serbë
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe të jashtëzakonshme në terren.

Disa policë, që paguhen nga buxheti i Kosovës, kanë vendosur t’i thonë “jo” zbatimit e të tjerë po sulmohen me armë në pjesën veriore të vendit.
Policët që e kanë për detyrë zbatimin e këtij vendimi, ata të rajonit të Mitrovicës së Veriut, tashmë edhe zyrtarisht nuk do ta zbatojnë këtë vendim. Në një konferencë për medie, komandanti i stacionit policor të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, tha se nuk do ta respektojnë këtë vendim, sepse, sipas tij, është vendim i njëanshëm.
E pas kërkesës nga Inspektorati Policor i Kosovës, Gjuriqi është pezulluar nga pozita e Drejtorit të Policisë në Veri.
“Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së. Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Drejtori i të ashtëquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç, i cili tha se ky vendim shkelë “gjithqka që është rënë dakord në Bruksel”.
“Arseja pse e kanë shkarkuar Gjuriqin është se ai dje doli në mbrojtje të bashkëkombësve të tij serb... Nuk ka gjë më të natyrshme se vendimet e Gjuriqit... “ – tha mes tjerash z. Petkoviq.
Sipas tij, ideja e Kurtit ishte që të shkilej çdo marrëveshje për të cilën kishin rënë dakord në Bruksel dhe se për këtë gjë e kishin informuar edhe ndërmjetësuesin Lajçak.
“Unë i thashë se jemi në fillim të shpërbërjes së Marrëveshjeve të Brukselit. Ajo që bëri Kurti është shkelja e gjithçkaje që është rënë dakord në Bruksel.” – vazhdoi më tej deklaratat e pamatura Petkoviq.

Ai akuzoi Perëndimin për “hipokrizi” i cili sipas tij “po hesht dhe nuk po bën asgjë për ta qortuar Kurtin”.
Petkoviq tha se do të merrnin vendime në interes të popullit serb pasi të konsultoheshin me “gjakftohtësi në orët dhe ditët në vijim”.
Për këtë çështje ka folur edhe ministri Goran Rakiq.
Rakiq ka thënë se ka takuar takim urgjent për të shtunën me të gjithë përfaqësuesit politikë të institucioneve në veri të Kosovës.
Një ditë më parë, drejtori i policisë për veriun, Nenad Gjuriq, bashkë me zyrtarët e Listës Serbe, në konferencë pranoi publikisht se nuk do ta zbatojnë vendimin.
“Ajo është politike dhe e drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit ne vetë i përkasim dhe i ndajmë shqetësimet tona në lidhje me të gjitha veprimet e njëanshme”- tha ai.
Gjuriq tha gjithashtu se patrulla të policisë rrugore nga Prishtina janë dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë në veri të Kosovës me qëllim që të “ushtrojnë presion mbi policët tanë që t’i kryejnë veprimet e kërkuara, që kanë të bëjnë me dhënien e vërejtjes për vozitësit me KM”.
“Dëshirojmë të theksojmë se patrullat e lartpërmendura nga Prishtina janë dërguar në veri të Kosovës pa dijeninë dhe miratimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë Veri. Gjithashtu, në të kaluarën i kemi vënë në dukje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë dhe komunitetit ndërkombëtar për praninë e njësive speciale policore dhe ngritjen e bazave në zonën tonë të përgjegjësisë, edhe pa dijeninë dhe miratimin tonë, të cilat me aktivitetet e tyre sjellin frikë dhe trazira te njerëzit që jetojnë këtu”- tha Gjuriqi.
Ai gjithashtu tha se policët e këtij rajoni janë aty për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer popullit, pa dallim kombësie dhe feje, por, nën anën tjetër, deklaron se nuk e zbatojnë vendimin për targat.
“Ne qëndrojmë për respektimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit, sipas së cilës kompetencat tona janë të përcaktuara qartë”, ka theksuar Gjuriqi.
Kryeministri Kurti e dënoi, IPK-ja e rekomandoi shkarkimin e komandantit
Për këtë çështje ka folur nga Berlini edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se veprimet e komandantit Gjuriq janë në shpërputhje me ligjet e Kosovës.
“Është një gjë, kur dështon zbatimi dhe një gjë tjetër, kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi, por u përket organeve të sigurisë, policisë, që të merren me këtë thirrje, e cila qartazi është në shpërputhje me rendin e ligjin në Kosovë”- tha Kurti.
Ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar policisë që ta pezullojë Gjuriqin. Në komunikatën e IPK-së thuhet se Gjuriqi i ka kryer edhe veprat penale “sabotim” e “thirrje për rezistencë”.
“IPK rekomandon suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut. Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut. Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicës së Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative”- thuhet ndër të tjera në komunikatën e Inspektoratit.
Shkarkimin e tij e ka kërkuar edhe ish-drejtori i Policisë e tash deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
Çalaj i ka thënë Nacionales se në këto raste, veprimi duhet të jetë i shpejtë dhe se Gjuriqi do të duhej të shkarkohej qysh dje.
“Dje ishim dëshmitarë të një konference për medie të drejtorit te drejtorisë rajonale të Policisë të Mitrovicës së Veriut, i cili deklaroi që ai dhe policët që ai i drejton ose komandon, nuk do ta zbatojnë vendimin e qeverisë për targat. Mendoj që kjo është e papranueshme dhe ky komandant është dashur që të suspendohej dhe të shkarkohej qysh dje, menjëherë pas konferencës për medie”- ka deklaruar Qalaj.
Policia sulmohet përsëri në veri
Policia e Kosovës ka njoftuar për një sulm tjetër me armë zjarri në pjesën veriore të vendit.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në stacionin policor kufitar në Jasenovik, raporton Nacionale.
Ata janë sulmuar me dy të shtëna armësh radhazi përderisa ishin në vendin e quajtur Jabuke.
“Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët policorë të cilët kanë qenë me detyrë në stacionin policor kufitar në Jasenovik, kanë informuar se me datë 02 nëntor 2022 gjatë natës kanë dëgjuar të shtëna armesh (dy të shtëna radhazi), përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke. Njësia relevante policore ka gjetur një predhë plumbi e cila kishte goditur rrethojën e objektit të stacionit policor për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik. Lidhur me rastin Drejtoria kundër Terrorizmit po kryen hetime mbi dyshimet për kryerjen e veprave terroriste”- thuhej në komunikatë.
Përveç pezullimit, ndaj komandantit të policisë në veri mund të ketë hetime edhe për veprat “sabotim” e “thirrje për rezistencë”, por nga ajo që po shihet në terren, është se policët që udhëhiqen nga ky komandant, nuk po e zbatojnë vendimin.
E gjithë kjo situatë po ndodh vetëm në fazën e parë të vendimit të shkallëzuar të Qeverisë, i cili përmban edhe tri faza të tjera, të cilat janë më të ashpra sesa qortimi.



