‘Po’ vëllaut të Fitore Pacollit, ‘Jo’ Fahrije Hotit: Peci e humb krejt toruan – “Pritni kriminela, duroni horra”
Vëllaut të Fitore Pacollit ‘Po’, Fahrije Hotit të Krushës së Madhe ‘Jo’.
Ky ishte kontrasti më i madh e më goditës që iu shërbye publikut nga Ministria e Bujqësisë që udhëhiqet nga Faton Peci.
Njëqind mijë euro subvencion iu miratuan Blerim Pacollit, vëllaut të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit, dhe atë kompaninë e hapi/regjistroi vetëm katër ditë para se ta gëzojë shpërblesën ministrore.
Fahrie Hotit – dhe grave të Krushës së Madhe – iu refuzua njëherë aplikimi, pastaj ankesa, në projektin “Blerja e Linjave të Makinerive për Përpunim dhe Konservim të Perimeve”.
Kompania “KB Krusha” doli me reagim ku artikuluan “shqetësimin dhe zhgënjimin” ndaj refuzimit: duke i nxjerrë letrat e (pa)arsyetimit të Ministrisë së Bujqësisë.
“(...) thirrja për aplikim ishte e hapur gjatë vitit 2023, ndërsa vendimi për refuzimin e aplikimit tonë është kthyer në vitin 2024. Ky vonim në shqyrtim dhe dhënie të përgjigjes ndikon negativisht në planet dhe operacionet tona, duke dëmtuar mundësitë për zhvillim dhe investim”.
“Pas vendimit të refuzimit, ne paraqitëm ankesë në përputhje me procedurat ligjore dhe shpresuam në një rishikim të drejtë dhe të paanshëm. Megjithatë, vendimi u kthye përsëri si refuzim, këtë herë duke u bazuar vetëm në një pikë të vetme, duke krijuar përshtypjen e një trajtimi të padrejtë. Agjencia sugjeroi që të ndjekim rrugën gjyqësore për ta sfiduar këtë vendim, por një procedurë e tillë paraqet sfida të mëdha për një organizatë si e jona”, u tha më tej.
Por, asnjë nga këto probleme s’i pati vëllau i Fitore Pacollit: atij iu ndanë paratë pa-një-pa-dy; dhe ministria e arsyetoi se “ne nuk diskrimojmë askënd”.
Partitë opozitare reaguan ndaj këtij favorizimi lucid-të-qartë të familjarëve të pushtetarëve të Vetëvendosjes, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që Fitore Pacolli të shkarkohet nga posti i saj si kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi si dhe që të zhvillohen hetime penale ndaj Faton Pecit.
Enter Faton Peci...
“Horra...kriminela...pritni deri nesër”.
Subvencionet e grantet të dhëna për njerëz të afërt – partiak, institucional e familjarë – kanë qenë lajtmotiv medial për Faton Pecin, i cili u lajmërua me një gjuhë të ngarkuar të paparë.
“Nuk mundemi me më ndal as me plumba as me ujë”, e nisi shkrimin krejtësisht pa kuptim Faton Peci, duke mos justifikuar referentin as edhe një troh.
Por, por... “pritni deri nesër” dhe “veç pritni kriminela”, kërkoi Peci nga denoncuesit opozitarë.
“Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t'iu demaskoj si kurrë më parë! Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju!”
“Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim!”, shtoi ai. Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, përfundoi Peci.
Çka thanë nga KB Krusha?
ABZH-ja e Ministrisë së Bujqësisë i refuzoi thjesht-ashtu.
“Refuzohet ankesa si e pabazuar Kooperativa Bujqësore – Krusha – Fahrije Hoti, Fshati Krushë e Madhe, Komuna Rahovec”, thuhet në vendimin ministror.
“Kooperativa Bujqësore ‘Krusha’ shpreh shqetësimin dhe zhgënjimin e saj lidhur me vendimin e fundit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila refuzoi aplikimin tonë për grante me arsyetimin se mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit”, u tha në reagimin e tyre.
Ata falënderuan Komisionin Evropian, GIZ-in gjerman, USAID-in, SwissContact-in dhe donatorët vendorë e ndërkombëtarë, por jo edhe Ministrinë e Bujqësisë.
“Falë tyre, KB ‘Krusha’ ka arritur të eksportojë produkte bujqësore në tregjet e Evropës dhe SHBA-së, duke promovuar bujqësinë kosovare në nivel ndërkombëtar”.
“Me gjithë këtë kontribut dhe përkushtim, që nga viti 2015 nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR. U bëjmë thirrje institucioneve të shqyrtojnë me kujdes politikat e tyre për të siguruar që organizatat si KB “Krusha”, që japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, të trajtohen me drejtësi dhe të marrin mbështetjen e merituar”, përfundoi shkrimi i KB Krushës