"Po tentohet manipulim i zgjedhjeve": Reagime pas raportimit të Nacionales se MPJD-ja synon organizimin e zgjedhjeve në diasporë - NACIONALE

"Po tentohet manipulim i zgjedhjeve": Reagime pas raportimit të Nacionales se MPJD-ja synon organizimin e zgjedhjeve në diasporë

3 javë më parë

nga NACIONALE

Raportimi i Nacionales se Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës po tenton organizimin e zgjedhjeve në diasporë, duke kërkuar t’ia marrë kompetencat kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka shkaktuar një valë reagimesh në opinion, duke kritikuar ashpër ministrinë e drejtuar nga Donika Gërvalla-Schwarz. Kjo lëvizje e kryediplomates [lexo: Qeverisë së Kosovës] shihet si vula e dështimeve të njëpasnjëshme përgjatë katër viteve.

Ish-anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, tha se kjo është hera e parë që një qeveri tenton të ndërhyjë në punët e institucionit që nga shpallja e Pavarësisë.

“Ndërkohë, për herë të parë që prej shpalljes së pavarësisë, qeveria po tenton të ndërhyjë në punën e këtij institucioni të pavarur duke provuar që në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të bëhet pjesë e organizimit të zgjedhjeve!”

Ai bëri thirrje që KQZ-ja të refuzojë këto tendenca të qeverisë pasi sipas tij, ky tentim është kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i saj, duhet publikisht dhe qartë të refuzojë keto tendenca të qeverisë dhe të garantojë për qytetarët dhe subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje proces të rregullt e të drejtë zgjedhor, duke pamundësuar kështu që mendësia e partisë shtet në qeveri të cenojë një proces ne kaq peshë e rëndësi për demokracinë në vend.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Katër vite të dështuara të MPJD-së, pa asnjë njohje, pa asnjë anëtarësim, pa asnjë rezultat, ministrja Gërvalla i jep vulën mandatit duke tentuar t’i manipuloj zgjedhjet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me legjislacionin zgjedhor të vendit, sipas drejtori ekzekutiv të Organizatës ”Çohu”, Arton Demhasaj.

“Katër vite të dështuara të MPJD-së, pa asnjë njohje, pa asnjë anëtarësim, pa asnjë rezultat. Në këtë dështim tektonik përballë detyrës, për ironi, suksesi i vetëm i Donika Gërvallës është fasadimi i objektit të ministrisë! Por, për t’i dhënë vulën, tani në fund të mandatit, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me legjislacionin zgjedhor të vendit, po tentohet MANIPULIMI I ZGJEDHJEVE me memorandum për organizimin e zgjedhjeve në diasporë! Vetëm KQZ-ja organizon zgjedhje. Jo manipulimi i zgjedhjeve. Jo manipulimi i diasporës.” – tha ai.

Sipas Memorandumit të Bashkëpunimit të siguruar nga gazeta “Nacionale”, MPJD-ja i ka kërkuar kompetenca KQZ-së për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve jashtë Kosovës.

Burime brenda ministrisë bënë të ditur se memorandumi i bashkëpunimit është hartuar tërësisht nga Ministria e Jashtme, pa asnjë konsultim nga KQZ.

“Memorandumi është shkruar nga zyrtarë të MPJD-së dhe KQZ-ja nuk ka qenë e kyçur në përgatitjen e tij” – ka thënë një burim për Nacionale.

I njëjti burim ka thënë se këtë dokument MPJD-ja tashmë e ka dërguar në KQZ.

Reagim në lidhje me tendencën e Qeverisë Kurti për të ndërhyrë në procesin e organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve në një segment kryesor të saj, siç është votimi jashtë Kosovës, ka pasur edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike, Doarsa Kica-Xhelili.

“Ministrja e Punëve të Jashtme (Qeveria), po tenton me çdo kusht t’ia marrë kompetencat KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve në mërgatë. A thua pse?!” – ka shkruar deputetja në reagim.

Lajme të ngjashme