PO-ja e Kurtit për planin franko-gjerman 'ringjall' PDK-në, LDK me gjysmë zëri, kurse AAK po "mendohet" - NACIONALE

PO-ja e Kurtit për planin franko-gjerman 'ringjall' PDK-në, LDK me gjysmë zëri, kurse AAK po "mendohet"

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, orë më parë është deklaruar pas takimit të sotëm me emisarin e posaçëm të dialogut, Miroslav Lajçak.

Përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter", Kurti ka thënë se si qeveri e pranojnë planin franko-gjerman, duke shtuar më pas se ka bazë të mirë për negociata të mëtutjeshme.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”, shkroi ndër tjerash Kurti.

Ky deklarim ngjalli reagime të shumta, posaçërisht nga Partia Demokratike e Kosovës. LDK e AAK, të paktën deri më tani nuk kanë thënë asgjë rreth kësaj çështjeje. Megjithëse duhet përmendur faktin se Sibel Halimi, zëdhënësja politike e LDK-së shprehu qëndrimin e saj në faqen personale.

E para që reagoi ishte nënkryetarja e demokratëve kosovarë, Vlora Çitaku. Ish-ambasadorja jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një postimi vlerësoi se planin franko-gjerman mund ta kenë pranuar Kurti e Bislimi, por jo vendi ynë.

"Ne e kemi pranuar propozimin paska thënë Kryeministri. Ne, ndoshta po mendon për veten dhe për Bislimin. Kosova e pranon marrëveshjen pasi ta ketë votuar në Parlament", shkroi fillimisht ajo.

Tutje, Çitaku regjistroi edhe dy kërkesa që kanë të bëjnë kryekëput me dialogun.

1) A e përmbanë marrëveshja njohjen reciproke;

2) A do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për themelimin e asociacionit;

Në anën tjetër, kreu i partisë, Memli Krasniqi, ka pyetur se ku mbetën kushtet e kryeministrit dhe kërkoi të di nëse të njëjtat janë plotësuar.

"Kryeministri Kurti sot deklaroi se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë.

Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?", pohoi ai.

GP

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kritikoi qasjen e Kurtit, duke "uruar" qytetarët për "Zajednicën".

Tahiri vlerësoi se Kurti e pranoi këtë plan pa pasur guxim të tregoj se çfarë përmban ai.

“E pranoi planin franko-gjerman. Pa pasur guxim të thotë se cili është në të vërtetë ai plan, çfarë përmban, sa pika, sa prej tyre pika kompromisi e sa në favor të Kosovës dhe në përputhje me kushtetutën”.

Kushtet

Kushtet e shefit të ekzekutivit kosovar lidhur me Asociacionin tashmë dihen. Të tillë janë gjashtë sosh. Se sa mund të plotësohen realisht, vështirë të thuhet.

Gjithsesi, ditëve të ardhshme mund të ketë detaje të reja, teksa kujtojmë faktin se këto kushte veçse janë diskutuar mes palëve gjatë takimit të sotëm.

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Lajme të ngjashme