Po e lëmë pas - gjithçka që veçoi episodin e 21 të Ditarit të Buzhalës
Ishte i pari për nga koncepti i ri dhe i 21-ti në përgjithësi.
Ditari i Buzhalës, gjegjësisht ai i radhës ku mysafir ishte Bledi Mane, u shikua me qindra-mijëra herë në platformat tona sociale.
Por, të rikthehemi në retrospektivë dhe të shohim se cilat qenë gjërat kryesore që u diskutuan me gazetarin nga Shqipëria.
Emisioni filloi me rikthimin në prapavijë të momentit kur Mane në Top Channel debaton për kuzhinën, ndërsa apostrofon atë kosovare. Me këtë rast, kritikoi edhe gazetarin Milaim Zeka, madje mori guximin që këtë ta fundit ta krahasojë me yllin e flamurit të ish-Jugosllavisë, ani pse s’e mohoi faktin se e do si koleg, pavarësisht të mirave të këqijave që i posedon.
“Dhe më vjen çudi, e thotë Milaimi, më quan racist, Milaimin e kam koleg, e dua me të mirat dhe të këqijat e tij, por ma kujton e mban mend flamurin e ish-Jugosllavisë, ai ylli i vjetër, Milaimi është si ai ylli i vjetër, i ndryshkur, i dalë nga boja dhe si reliket që shiten jashtë muzeumeve. I thashë Milaimit mos do të bëhesh prapë deputet dhe po pretendon populizëm, sepse ishte një debat kulinarie, një debat, aspak ndasie dhe kuzhina jonë ka të metat e veta”, tha fillimisht Bledi.
Më pas Mane tregoi se ky nuk është një fakt për çka duhet të ndihesh i turpëruar, teksa tregoi shembullin e kuzhinës italiane në Britani, vend ky mysafiri ynë i javës së kaluar kishte jetuar për një dekadë.
“…ju tani jeni frekuentues i restoranteve në Shqipëri dhe jo vetëm ti, po edhe shumë shqiptarë tjerë të Kosovës. Duhet ta dimë, para viteve të 90, kuzhina e detit në Shqipëri kanë qenë vetëm peshqit. Edhe kuzhina jonë evoluoi, shqiptarët tanë shkuan emigrant në Itali, italianët erdhën dhe investuan në Shqipëri dhe ne mësuam nga njëri-tjetri. Unë kam jetuar 10 vjet në Britani, ka qenë Jul Cesari që i mësoi të laheshin, sepse trupat e tyre lyheshin me dhjamin e kafshëve, për të qëndruar ngrohtë gjatë dimrit dhe sonte në Londër ke banjot romake. Trangulli, qepa dhe mjaft perime të tjera në Britani shkruan nga romakët, por britanikët nuk ndihen inferiorë, apo nuk ndihen fajtorë për këtë”, vazhdoi ai.
Ashtu siç edhe pritej, nuk mungoi debati për fenë, pak ditë pasi “shamia” u bë kryefjalë në vendin tonë.
Përderisa autori Buzhala e konsideroi si debatin më të kotë, duke e etiketuar si debat për debatin, Mane foli për atë siç e apostrofoi ai, “hipokrizia kosovare”.
Për këtë përmendi faktin se sa kalon doganën, në të dyja anët e rrugës shesh objekte kulti, gjegjësisht xhami pa fund, ndërsa pak më tej vëren lokale që të ftojnë për alkool.
“Kjo është e njëjtë me dy persona që para se të bëhen bashkë duhet ta shohin njëri-tjetrin lakuriq. Psh sa kalon doganën ti ndeshesh me hipokrizinë e Kosovës, ku sheh objekte kulti, ndërsa gjithashtu shesh lokaleve që të ftojnë të pish alkool. Kjo është një lloj hipokrizie apo jo”, shtoi gazetari i njohur.
Veç kësaj, u diskutua edhe çështja e klerikëve fetarë. Për Bledin, hoxhallarët nga Kosova e Shqipëria janë nga e njëjta shkollë, pra synojnë që njerëzit t’i mbajnë të nënshtruar.
Në anën tjetër, Buzhala kujtoi njërin prej debateve më me zë të kësaj fushe, kur kohë më parë u përballën në publik ateisti Richard Dawkins dhe kardinali kryesor i Australisë.
Sipas gazetarit nga Kosova, debatin e fitoi kardinali, pasi masa ishte në anën e tij, që është më e lehtë në raste të tilla, por që kardinali nga kontinenti, njëherit njeriu i dytë i financave në Vatikan, gjendet në burg për pedofili.
“Ka qenë një debat, e kam merak me ua përsëritë besimtarëve shumë, mes Richard Dawkins, ateist dhe kardinali kryesor i Australisë. Ata po debatonin rreth religjionit. Dawkins po e mohonte, me pasion, publiku ishte kundër Dawkins, ishte me kardinalin, sepse ishte më e lehtë. Kardinali ishte ironik, ishte edhe popullist, aktualisht ai është i arrestuar për pedofili. E humbi debatin. Richard Dawkins nuk është në burg. Dowkins nuk ka pasur raporte me të mitur, por nëse hyni në Youtube, e shihni që krejt komentet ishin kundër tij. Dmth, është pak e vështirë m’u fitu beteja me këtë kategori të njerëzve”, potencoi ndër të tjerash Buzhala.
Ashtu siç besojmë edhe e keni vërejtur, në fillim është pjesa e plotë, ndërsa më poshtë te secili paragraf gjegjës gjeni fraksionet e veçuara.
Javën e ardhshme është episodi tjetër, njëherit numër 22.