Plasin të qeshurat dhe sikleti nga fjalimi i Bislimit në Çagllavicë, jep një konstatim që i lë ‘gojëhapur’ të pranishmit
Vështirë të ketë paraqitje publike ku Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk prodhon momente senzacionale – ose përmes sfidimit të parametrave të logjikës që i ka markë shënjuese të karakterit politik ose përmes një padurimi të thellë që shpërfaqë ndaj Tjetrit të tij; e që në rastet më të rëndomta mediatike Tjetri i tij është gazetari.
Duke folur në Qendrën Mediatike në Çagllavicë, Bislimi prodhoi një moment bizar që i vendosi në siklet dhe në të qeshur të parehatshme të pranishmit – të komunitetit serb – kur nxorri një konstatim që jo pak kush do të mbetej gojëhapur. Për se është fjala?
Ishte duke folur për çështjen e ndalimit të valutës serbe si mjet i ligjshëm pagese kur tha se kjo punë “fare lehtë” mund të zgjidhjet “nëse ka vullnet” nga Banka Popullore e Serbisë që t’i derdh pagesat për komunitetin serb përmes llogarive bankare që ata posedojnë në banka në Kosovë.
E këtu e prodhoi habinë. Tha se “është e çuditshme” se si Banka Popullore e Serbisë nuk po i kthen përgjigje Bankës Qendrore të Kosovës. Por, çudia e Bislimit nuk konsiston në atë pse BQS-ja s’po i përgjigjet BQK-së, por që guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë “është nga Vushtrria dhe e flet shqipen perfekt”. Pra, mbajeni frymën.
“BQK ende nuk ka marrë përgjigje nga BQS dhe është e çuditshme sepse guvernatorja e BQS-së është nga Vushtrria dhe flet gjuhën shqipe në mënyrë perfekte”, tha Bislimi.
Këtu, të pranishmit thjesht s’mundëm të përmbaheshin. U rrotlluan sytë, u fshehën fytyrat, disa kthyen kokën, disa kafshuan buzët, për të mos e lëshuar të qeshurën në zë.
Bislimi vazhdoi.
U tha serbëve të pranishëm – bashkë me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq – se mestarja i bie që 23 deri në 25 mijë familje me 43 mijë llogari bankare, e që, i bie, “gati gati 2 llogari bankare për çdo familje”.
Veç që Serbia s’po do, u tha Bislimi, se punë që bëhet.
“Çështja e dinarit, siç thash në pjesën hyrëse, ka shkaktuar brenga te një pjesë e qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin ndihmë financiare nga Serbia. Mendoj se kjo temë duhet të adresohet por duhet të jemi të sinqertë. Sepse nëse ne e dramatizojmë problemin si ‘ata s’kanë me pas çka me hanger, ata kanë dekë urie’; mendoj se kështu i iket problemit”, vazhdoi ai.
Serbët, tha ai, marrin pension “njëjtë sikur nëna ime” teksa shtoi se “më e keqja që kish mujt me ndodh në një skenar agresiv që ndërprehet ndihma nga Serbia qytetari serb kish me ra në penzionin që e ka nëna ime. Dmth nuk ka me vdekë urie”.
“Janë 2 mijë e 205 familje të cilët marrin mbështetje ndighma sociale muaj për muaj. Janë 4 mijë e 244 fëmijë që marrin mbështetje mua. 1742 gra që marrin ose kanë llogari në pagesat për lehona. Këto bashkë, dhe kur i shtojmë edhe ato që punojnë në administratë të Republikës ës Kosovës, janë diku 33 mijë e 90 llogari bankare që i kanë”, vazhdoi ai.
“Këtyre llogari banka qendrore ua shton edhe 10 mijë llogari si (bashkëfolja) e cila nuk ka nevojë për mjete nga shteti për arsye se në sektorin privat gjeneron të hyra dhe i bartë përmes sistemit bankar. Kjo na sjellë në total 43 mijë llogari bankare me të cilat disponojnë qytetarë të komunitetit serb në sistemin finacnuar të vendit”, tha Bislimi.
“Në qoftë se marrim statistikat zyrtare të vendit dhe i pjesëtojmë me një numër mesatar të familjes prej 3.8 që është mesatare konzervative del që në Kosovë nuk i kemi më shumë se 23 mijë deri 25 mijë familje serbe që kanë 43 mijë llogari bankare. Që i bje gati-gati 2 llogari për çdo familje. Do të thotë transferi i mjeteve është i mundur. Përmes llogarive të pranishme”, tha ai.