Raportohet për heqjen e barrikadave në veri, Mitrovica e Jugut e qetë - NACIONALE

Raportohet për heqjen e barrikadave në veri, Mitrovica e Jugut e qetë

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Një ditë pas tensioneve në veri të Kosovës, situata është stabile. Megjithatë, rrugët që dërgojnë për në pikat kufitarë në Bërnjak dhe Jarinje janë të bllokuara, gjersa nga dje janë evidentuar 4 raste të të shtënave në drejtim të Policisë. Por, tash media të ndryshme po raportojnë se ka filluar heqja e barrikadave në veri të vendit.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedir Hamza, në një prononcim për Nacionale, tha se situata është stabile.

Çka thotë Policia?

Policia e Kosovës që në mëngjes ka lëshuar një komunikatë për media.

Sipas Policisë së Kosovës, në një rast ka pasur edhe detonim, duke sqaruar se nuk ka asnjë të lënduar.

Tutje, në komunikatën e Policës përmenden edhe disa raste kur qytetarët shqiptarë janë malltretuar.

Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në komunikatë.

Policia ka konfirmuar që situata në pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak vazhdon të jetë e njëjtë. Pra, dy pikat kufitare me Serbinë mbeten të bllokuara.

“Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, theksohet aty.

Por Radio Evropa e Lirë tashmë po raporton se barrikadat në veri, të cilat bllokonin rrugët kanë filluar të largohen.

Gjendja në veri

Rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë bllokuara nga serbët pas tensionve që u shkaktuan me vendimin për zbatimin e reciprociteti nga Qeveria e Kosovës për traga dhe dokumentet e identifikimi.

Në bazë të fotografive të bëra nga fotografi i Nacionale, këto rrugë janë të mbylluar me mjete të rënda transportuese që nga dita e djeshme nga serbët e atyre anëve

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka shtyer deri më 30 shtator zbatimin e vendimit, pas kërkesës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Në komunikatën për media të Qeverisë së Kosovës, theksohej se shteti i Kosovës është zotuar për ta shtyrë reciprocitetin për dokumente e targa për 30 ditë.

Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin", thuhej në komunikatë.

Gjendja në Jug

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza në një përgjigje për Nacionale ka thënë se situata në Mitrovicë është e qetë pas tensioneve që janë shkaktuar të dielën pas vendimit për reciprocitetin për targa dhe dokumentet e identifikimit.

Hamza ka thënë se është në komunikim me institucione përgjegjëse dhe se po presin për të parë se si cilat do të jenë zhvillimet e reja.

Situata është stabile me zhvillimet që ka ndodhë pramë, pritet tash me pa si po zhvillohet ngjarja. Kemi komunikim me institucionet përgjegjëse që janë, për informata më shumë përgjigjen institucionet përgjegjëse. Sirenat janë ndalë mbrëmë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme