Hamza pas tensioneve në veri: Sot situata është stabile, sirenat janë ndalur
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza në një përgjigje për Nacionale ka thënë se situata në Mitrovicë është e qetë pas tensioneve që janë shkaktuar të dielën pas vendimit për reciprocitetin për targa dhe dokumentet e identifikimit.
Hamza ka thënë se është në komunikim me institucione përgjegjëse dhe se po presin për të parë se si cilat do të jenë zhvillimet e reja.
“Situata është stabile me zhvillimet që ka ndodhë pramë, pritet tash me pa si po zhvillohet ngjarja. Kemi komunikim me institucionet përgjegjëse që janë, për informata më shumë përgjigjen institucionet përgjegjëse. Sirenat janë ndalë mbrëmë.”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër qytetarë janë lënduar dhe maltretuar nga persona të dyshuar për bllokimin e rrugëve në veri të vendit pas vendimit për reciprocitetin për targa dhe dokumente të identifikimit me Serbinë.
Sipas policisë, pikat kufitare në Jarinje dhe Bënjak vazhdojnë të jenë të mbyllura teksa vendimi ka filluar të zbatohet.
“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nacionale ka raportuar mbrëmë për qytetarë të lënduar pas tensioneve në veri të vendit.
Më tutje, u dasht një takim urgjent i ambsadorit amerikan me Kurti dhe Osmanin që kjo masë të shtyhet.
Lajmin u konfirmua nga qeveria përmes një komunikate.
"Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës. Prishtinë, 31 korrik 2022. Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin", thuhej në komunikatë.
Teksa vendimi po zbatohet deri në hapjen e rrugëve nga bllokimi që ndodhi të dielën me 31 gusht 2022.

